Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 14:30

Tiranë – Rritja e të ardhurave nga kompanitë publike KESH dhe Albpetrol, si dhe nga biznesi privat, ndikuan në rritjen e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin për 9-mujorin Janar-Shtator të këtij viti.

Në këtë periudhë, sipas burimeve zyrtare të ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në rreth 15.3 miliardë lekë, kundrejt 13 miliardë lekë të mbledhura në 9-mujorin 2010, me një rritje të ndjeshme prej 16.9% dhe në të njëjtën linjë me planin e rishikuar.

Në këtë rezultat, ndikim pozitiv dhanë derdhjet për tatim-fitimin nga KESH-i në muajin maj për bilancin e vitit 2010, në vlerën 1,147 milionë lekë dhe nga “Albpetrol” me 110 milionë lekë.

Zhvillimi i sektorit privat ka dhënë ndikimin e vet në këtë rezultat pozitiv, krahasuar me 2010-tën. Arkëtimet e muajit mars, kur u bënë derdhjet e tatim-fitimit, bazuar në bilancet e 2010-tës, shënuan rritjen prej rreth 39%  kundrejt marsit të 2009-tës.

Në të ardhurat nga tatim-fitimi ndikim pozitiv dhanë edhe të ardhurat nga taksa vendore mbi biznesin e vogël, që arritën 2.24 miliardë lekë, me rritje vjetore 23.9% dhe 56.4% më lart se parashikimi sipas buxhetit te rishikuar.