Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 13:09

Prishtinë – Komunat e Lipjanit dhe Gjakovës i janë bashkuar sot procesit të Zhvillimit Ekonomik Rajonal të BE-së (EURED) në Kosovë, përkatësisht Agjencive për Zhvillim Rajonal Qendër dhe Jug.

Ky hap konfirmon procesin e EURED-it si një instrument efikas për përkrahjen e aktiviteteve të bashkëpunimit ndërmjet komunave, të cilat shpijnë drejt përmirësimit të kushteve të jetesës të qytetarëve të Kosovës.

Sipas Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, që nga themelimi në vitin 2008, procesi i EURED-it i udhëhequr nga pesë agjenci për zhvillim rajonal, ka promovuar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, pajtimin e komuniteteve dhe ndërtimin e kapaciteteve komunale për pjesëmarrje në përpjekjet e Kosovës për integrime evropiane.

Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian përkrah procesin përmes bashkëfinancimit të veprimtarisë së pesë agjencive për zhvillim rajonal dhe skemave të granteve EURED, si dhe ofron asistencë teknike për të ndërtuar dhe konsoliduar procesin e EURED-it.

Komunat e Kllokotit, Ranillugit, Parteshit, Graçanicës dhe Zubin Potokut i janë bashkuar procesit në vitin 2010.  Me Lipjanin dhe Gjakovën, numri i komunave anëtare është 35.  Leposaviqi dhe Zveçani janë dy komunat e vetme që mbesin për t’iu bashkuar kornizës së EURED-it.

Zyra ndërlidhëse e KE-së aktualisht financon 19 projekte të EURED-it në pesë rajone ekonomike, vlera të cilave është mbi 7 milionë euro, që financohen nga skema e granteve të EURED-it për vitin 2010.  Skema aktuale e grantit të EURED-it ka filluar në shkurt dhe ka një vlerë totale rreth 5 milionë euro.