Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 12:38

Berlin – Gjermania është fajtori kryesor për eskalimin e krizës debitore në eurozonë, vlerëson investuesi i njohur amerikan George Soros në artikullin e botuar në gazetën gjermane ekonomike “Handelsblast”.

“Inercia gjermane e përforcoi krizën në Greqi dhe solli deri te përhapja e infektimit, e cila e shndërroi krizën greke në kërcënim për mbijetesën e Evropës”, konsideron Soros.

Sipas tij, është bërë gabim që përgjegjësinë për përballje me krizën nuk e mori BE-ja, por ajo u është lënë vendeve të tjera të caktuara të eurozonës.

Soros propozon edhe vendosje të “euro-kredive”, të cilat do t’u ndahen vendeve të BE-së, që do të ballafaqohen me kriza financiare. Në të kundërtën, euroja do të përjetojë një kolaps, vlerëson milioneri amerikan me origjinë hungareze.

“Rasti i tanishëm me kreditë për Greqinë dhe me pako masat për ndihmë urgjente të ndara disa vendeve, u tregua si një zgjidhje jostabile. Si rezultat e kësaj, Italia dhe Spanja do të duhet të paguajnë norma më të larta të kredive që do t’i marrin”, potencoi Soros.

Ai konsideron se politika e “hapave të imët”, që e rekomandon kancelarja gjermane Angela Merkel, është shumë e ngadalshme. Masa e ardhshme duhet të jetë konfirmim i parimeve për ndarje të pakove të ndihmave financiare, pasi që, në të kundërtën nën kërcënim mund të haset rejtingu kreditor maksimal AAA i Francës, përfundon Soros.