Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 19:30

Tiranë-Bisedimet për miratimin e Gazsjellësit që do të furnizojë Europën me gazin e Azerbajxhanit kanë hyrë në pikën e tyre më kulmore.

Projekti i Gazsjellësit TransAdriatik, që kalon nga Shqipëria është përzgjedhur në fazën e parë nga konsorciumi i Shah Denizit duke lënë mënjanë projektin ITGI që kalonte nga Greqia dhe Italia.

Drejtori i projektit për Shqipërinë, Albert Haak, shprehet se, përzgjedhja e Gazsjellësit TAP erdhi për shkak të kritereve të mira tregtare dhe financiare të paraqitura dhe për shkak se, tregu italian ka kërkesë më të lartë për gazin dhe infrastrukturën e duhur për shpërndarjen e tij.

Sipas tij, në të ardhmen do të ndërtohet edhe Gazjellësi JonAdriatik (IAP), i cili lidhet me gazsjellësin TAP në zonën e Fierit, për të furnizuar vendet e Ballkanit dhe Austrinë.

“Konsorciumi i Shah Denizit ka përzgjedhur projektin Tap dhe ne aktualisht jemi në diskutime ekskluzive pasi kemi paraqitur ofertën tonë tregtare. Përzgjedhja e projektit erdhi për shkak se përmbushim disa kritere të shpërndarjes së gazit shumë të rëndësishme. Me anë të projektit tonë mund të zhvillohet një tregti e mirë, ofrojmë mundësi të mira teknike, financiare, operacionale etj. Në garë është edhe projekti NABUCO, i cili nuk kalon nga Shqipëria dhe përfundon në Austri. Por konsorciumi është më tepër i interesuar për tregun italian, pasi aty kërkesa dhe çmimi i gazit janë më të larta,” thotë Haak.

Drejtori i projektit TAP thotë gjithashtu se bisedimet me institucionet shqiptare kanë pasur një ecuri pozitive. Ministria e Ekonomisë ka ngritur një grup pune në mbështetje të projektit dhe po nxirren të gjitha lejet e nevojshme për fillimin e punimeve. Së shpejti do të fillojnë bisedimet edhe me qeverinë greke dhe atë italiane për përgatitjen e lejeve dhe licencave.

“Qeveria dhe në vecanti ministria e ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës e kanë mbështetur fuqimisht këtë projekt. Jemi në prag të përfundimit të procesit me Aluiznin dhe Zyrën e Hipotekave për identifikimin dhe më pas kompensimin e pronarëve nga ku do të kalojë rruga e gazsjellësit në Shqipëri. Në vend do të investohen 1 miliard euro, do të nënkontraktohen firma lokale për kryerjen e punimeve dhe punonjës vendas,” shprehet ai.  

Vlera e Gazsjellësit arrin në total mbi 3 miliard euro, ku 1 miliard do të investohen në Shqipëri. Kjo vepër mund të konsiderohet si investimi më i madh në vend dhe përveç kësaj, përfitimet ekonomike për vendin do të jenë të shumta.

Diversifikimi i energjisë do të sjellë një ulje të varësisë nga energjia hidrike si edhe do të gëzojmë pozita më të forta gjeopolitike në rajon. 10 miliard metër kub në vit do të kalojnë nga gazsjellësi me mundësi dyfishimi të kësaj sasie.

Përveç taksave të kalimit, qeveria do të mbajë dhe 10% të sasisë së gazit, e cila mund të përdoret për nevojat e vendit, ose mund të shitet në vendet fqinjë. Kalimi i gazsjellësit TAP nga Shqipëria do të mundësojë dhe ndërtimin e linjës dytësore të shpërndarjes IAP, që lidh Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjen dhe Kroacinë. (LajmeShqip.com)