Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 11:20

Prishtinë – Në shënimin e Ditës Botërore të Ujit, u tha se Kosova konsiderohet si një vend me rezerva të pamjaftueshme të resurseve ujore ku në të ardhmen mund të paraqet pengesa në zhvillimin ekonomik të vendit. Gjithashtu u tha se situata në Kosovë nuk është e lakmueshme sa i përket trajtimit të ujërave të zeza dhe ruajtjes së lumenjve nga mbeturinat e shumta.

Mbrojtja e mjedisit nuk është vetëm problem financiar, por edhe politik, tha ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.

Derdhja e pa trajtuar e ujerave të zeza dhe atyre industriale kërcënojnë që lumenjtë të shendrrohen  në ujera të vdekura dhe të papërdorshëm për ekonomitë familjare. Ne jemi një shtet i ri që kemi trashëguar probleme te mëdha mjedisore në disa zona ku rrjedhat e lumenjve janë në gjendje të mjerueshme resurset tona financiare e pamundësojnë një rehabilitim te shpejt të këtyre lumjeve”, ka thënë Gashi.

Problem tjetër që paraqet në ndotjen e lumeve është masa plastike tha rektori i UP-së, Mujë Rugova.

Sipas tij shteti ynë duhet të marr vendim definitiv që në asnjë shitore qese plastike të mos iu jepet konsumatorëve. “Pastaj, shishet plastike të cilat kryesisht përdoren qe të mbushen me uji natyral, këto duhet të riciklohen, te kthehen, siç i kthen bota dhe të mos lejohen në natyrë të hapur”, ka thënë rektori Rugova.

Ministri Gashi, tha se ky vit do të jetë viti i shpalosjes se vullnetit politik në shpëtim të lumjeve.

Pjesëmarrës  institucional dhe ndërkombëtar apelojnë te qytetaret që t’i ndihmojnë institucionet në këtë drejtim dhe ta ruajnë sa më shumë ambientin ku ata jetojnë.