Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 10:57


Tokio – Ministrat e Financave të vendeve nga Grupi i shtatë shteteve më të zhvilluara, G-7, arritën pajtueshmëri për intervenim të koordinuar të tregut monetar, kumtoi Ministria japoneze e Financave.

Në deklaratën e përbashkët të kumtuar pas takimit, theksohet se SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Banka qendrore evropiane që sot, së bashku me Japoninë, do të ndërmarrin intervenim të koordinuar për tregun monetar.

Që në orën 00:00 sipas Griniçit, Banka qendrore japoneze filloi të shesë jenë, ndërsa vendet e tjera të G-7-shit do të ndërmarrin masa të tilla gjatë hapjes së tregjeve të tyre gjatë ditës.

Kjo marrëveshje u arritu një ditë pasi që ishte regjistruar shtrenjtim rekord i jenit në raport me dollarin.

Qëllimi i intervenimit të koordinuar është të mbështetet ekonomia e Japonisë, e cila është mjaft e goditur nga tërmeti shkatërrues i 11 marsit.

Vendet e G-7-shit po ndërmarrin aktivitete të koordinuara për ruajtjen e bilancit të tregjeve monetare që nga vjeshta e vitit 2000 e deri më tani.

Vendimi i ministrave të Financave të G-7-shit çoi deri te këmbimi i dollarit amerikan nga niveli u ulët rekord prej 76,25 jenëve dje deri në 80,73 jenë në fillim të tregtimit të sotëm. Sipas analistëve, kursi i lartë i jenit japonez do të krijonte vështirësi plotësuese për ekonominë japoneze, e cila është e orientuar drejt eksportit, që do ta ngadalësojë procesin e ripërtëritjes së dëmeve, të shkaktuara nga tërmeti, i shoqëruar me valët cunami. Dëmet tani për tani vlerësohen në mbi 200 miliardë dollarë.