Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 14:24

TIRANE – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi të mërkurën se “rritja ekonomike në vend do të vijojë të shënojë tregues pozitivë, ndonëse në kushtet kur kërkesa e brendshme është e dobët, ndikuar nga kriza në eurozonë”.

Në një konferencë për shtyp, Guvernatori Fullani tha se Banka e Shqipërisë ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 4%, duke theksuar se inflacioni ka shfaqur tendenca rritëse gjatë muajve të fundit, por ai mbetet ende brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 2-4%.

“Këshilli mbikëqyrës i BSH-së mendon se kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar objektivin e inflacionit në një periudhë afatmesme dhe forcon stimulin monetar të kërkesës për rritje ekonomike në vend”, theksoi kreu i sistemit bankar në vend. Fullani garantoi se politika monetare do të vijojë të mbështesë kreditimin e biznesit, që sipas tij, po zhvillohet nën potencialet e veta.

“Një dinamikë e ulët e kërkesës për konsum po jep ndikime negative në ekonomi. Kredia është rritur me nivele minimale, prej vetën 5.5% me bazë vjetore në korrik, ku një ndër arsyet kryesore lidhet dhe me kërkesën e dobët të privatëve për hua”, tha Fullani. Sipas tij, investimet private vijojnë të mbeten të ulëta, duke ngadalësuar rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, guvernatori shtoi se sistemi bankar duhet të jetë më fleksibël.

Gjatë 3 mujorit të dytë dhe të tretë ka pasur një rritje pozitive të ngadaltë të aktivitetit ekonomik të vendit. Kushtet monetare janë të përshtatshme për të arritur objektivin për inflacionin, tha Fullani, i cili në gusht rezultoi në nivelin e 2.8%.  Sipas tij, rritja e inflacionit ka ardhur nga ushqimet dhe nafta, për shkak të situatës në tregjet e brendshme dhe të huaja.Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka ulur pesë herë normën bazë të interesit, në 4.% (që nga gushti i vitit të kaluar), por vetëm gjatë javëve të fundit kanë filluar të ndihen në treg efektet e kësaj politike monetare lehtësuese, teksa yield-i i bonove të thesarit (që shërben si referencë për çmimin e kredive) është ulur për herë të parë nën 7%. (LajmeShqip.com)