Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 14:02

Tiranë – Shqipëria duhet të përqëndrohet te reformat që nxisin konkurueshmërinë e ekonomisë vendase. Gjatë raportimit vjetor në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani përsëriti apelin për reforma që synojnë të orientojnë ekonominë shqiptare drejt një modeli të ri.

Fullani tha se gjatë vitit 2010 ekonomia shqiptare u rrit kryesisht falë kërkesës së huaj, ndërkohë që paraqiti si domosdoshmëri nevojën për të rritur konsumin si instrument i kërkesës së brendshme në ekonomi.

Sipas tij, sistemi bankar ka qëndrueshmërinë dhe mjetet për të mbështetur rritjen e investimeve dhe të konsumit në vend dhe vërejti se kreditimi në muajt e fundit ka njohur lehtësim të dukshëm.

I pyetur nga deputetët në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se ky institucion është i kënaqur me nivelin ku ndodhen tarifat dhe komisionet bankare. Sipas tij, niveli i komisioneve në lekë është praktikisht nën kosto, ndërsa komisionet në valutë janë në nivel të njëjtë me vendet e rajonit. Guvernatori theksoi se komisionet për transaksione në valutë janë të lidhura me sistemet ndërkombëtare të pagesave dhe niveli i tyre nuk mund të rregullohet nga aktorët e brendshëm të sistemit financiar shqiptar.

Debati lidhur me nivelin e komisioneve dhe tarifave bankare në pjesën e parë të vitit 2011 mori shpeshherë nuanca politike dhe doli jashtë kontureve të argumenteve teknike dhe profesionale. Por, Banka e Shqipërisë, për herë të parë sot u shpreh qartë dhe prerazi se niveli i komisioneve bankare në Shqipëri nuk është i lartë dhe, mbi të gjitha, nuk është abuziv.