Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 14:33

Tiranë – Ekzekutimi në kohë i kolateralit është një çështje që prekë direkt zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë tryezës së posaçme të zhvilluar sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se shpeshherë procedurat e ndjekura nga gjykatat kanë favorizuar huamarrësit e këqij. Edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh sot me tone të ashpra kundër pengesave që hallkat e sistemit të drejtësisë krijojnë për ekzekutimin në kohë të koletaralit nga ana e bankave. Zoti Bode tha se çështja e ekzekutimit të koletaralit është çështje me rëndësi publike dhe prek besueshmërinë e sistemit financiar në vend.

“Çështja e kolateralit është një çështje publike. Bankat administrojnë depozitat e qytetarëve. Dhe kur është fjala për të ekzekutuar kolateralin, nuk është fjala për të mbrojtur interesat e kapitalit të një banke, të një biznesi privat, por ka një impakt të gjerë në publik, interesin për të mbrojtur depozitat e qytetarëve të vendit. Nëse ne nuk pësuam gjë përgjatë periudhës së krizës ekonomike globale, kjo erdhi sepse sistemi bankar ishte i sigurt, sepse nuk pati nevojën për ndërhyrje buxhetore, përndryshe edhe ne do të kishim pësuar fatin e disa ekonomive dhe ndoshta edhe më keq, të disa vendeve më të mëdha të rajonit,” tha Bode.

Ministri i Financave tha se ekonomia shqiptare ndodhet në një fazë ristrukturimi, ndaj siguria dhe soliditeti i sistemit të kreditimit janë jetike në këtë proces. Sipas tij, qeveria është gati për të ndërmarrrë cdo përmirësim ligjor për t’i dhënë sistemit bankar garancitë e nevojshme. Zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, pranoi se gjykatat në trajtimin e këtyre çështjeve rëndom sjellin vonesa me kosto dhe pasoja për palën kreditore.

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me misionin Euralius, po përgatit një manual i cili do të vijë në ndihmë të procesit të ekzekutimit. Sipas zonjës Kasmi, një pjesë të rëndësishme shpjeguese në të këtë manual zënë dhe veprimet përmbarimore dhe cështjet praktike lidhur me ekzekutimin e kolateralit. (LajmeShqip.com)