Lajme Shqip Saturday, 12 January 2013 16:41

TIRANE – Viti 2012, mes perceptimit të qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka të përbashkët idenë që ky ishte viti më i keq, por në shifrat e rritjes sërish diferencat janë të dukshme.

Në kohën kur ministri i Financave Ridvan Bode deklaronte dje se viti 2012 pritet të ketë një rritje 1.5 për qind, Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaronte një rritje 0.5 për qind.

Në rast se rritja ekonomike për vitin 2012 do të jetë 1.5 për qind, atëherë borxhi publik për vitin e kaluar do të arrijë mbi 61.9% e GDP-së. Me të njëjtën llogaritje, rritet edhe parashikimi për vitin 2013, ku borxhi pritet të arrijë në 63.5% e GDP.

Raporti i fundit i këtij institucioni ndërkombëtar për Shqipërinë, i publikuar dje, vë theksin në disa nga problemet kyçe të ekonomisë shqiptare, pika këto që janë lakuar aq shumë edhe nga Banka Botërore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka vënë dje theksin te rëndësia që qeveria duhet t’i kushtojë uljes së kredive të këqija dhe nga ana tjetër, ka kërkuar që të paguhen faturat ndaj bizneseve që kanë kryer punët publike.

“Në veçanti përfaqësuesit e FMN-së inkurajuan autoritetet që të marrin masa konkrete kundër rritjes së kredive të këqija në banka, duke përfshirë këtu edhe pagesën e faturave të papaguara të qeverisë ndaj kompanive, si dhe të përmirësohet ekzekutimi i kolateralit”, thuhet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo thirrje vjen në kohën kur niveli i kredive të këqija arriti 22.7 për qind në muajin tetor.(LajmeShqip.com)