Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 19:00

Në 100 vjetorin e Pavarësisë, alpinistët shqiptarë do të ngjiten për të parë në majën më të lartë të botës. Iniciativa për të ngjitur malin Everest është e shoqatës “Dajti Alpino-Turistik”, me mbështetjen financiare të Raiffeisen Bank dhe Vodafone Albania.

“Ne jemi të kënaqur që siguruam këtë mbështetje shumë të vyer financiare që do të na ndihmojë të ngrejmë ekipin dhe të na mundësojë të vendosim flamurin tonë kombëtar në majën më të lartë të botës”, tha Aleksandër Bojaxhi, kryetar i shoqatës “Dajti Alpino-Turistik”.

Christian Canacaris, drejtor i përgjithshëm i Raiffeisen Bank tha se banka e tij është tepër e lumtur që mbështet këtë iniciativë, e cila është e para e këtij lloji në Shqipëri.

“Ne jemi të kënaqur të mbështesim përpjekjet dhe përkushtimin e këtyre njerëzve, të cilët kanë ndërmarrë këtë iniciativë të vështirë, por, gjithashtu, edhe tepër të rëndësishme në këtë vit të veçantë për shqiptarët. Unë i uroj atyre sukses në misionin e tyre,” u shpreh ai.

Haris Broumidis, drejtor i përgjithshëm i Vodafone Albania, vuri theksin te rëndësia simbolike e këtij projekti.

“Ne jemi të lumtur që nëpërmjet mbështetjes tonë t’i japim mundësinë ekipit të parë shqiptar alpinist të arrijë majën më të lartë në botë, duke ngritur kështu për herë të parë flamurin shqiptar në Everest. Ne e kuptojmë që kjo iniciativë mbart një vlerë  të rëndësishme dhe simbolike, në një vit tepër të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët – 100 vjetori i Pavarësisë,” tha Broumidis.

Ekipi i alpinistëve shqiptarë parashikohet të ngjitet në majën e Everestit në Maj të vitit të ardhshëm.