Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 11:11

Tiranë – Financimet me lizing për vitin 2010 u rritën me rreth 28%. Altin Saliasi, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë Landeslease, thotë se volumi i financimeve për vitin e kaluar arriti në mbi 32 milion euro.

Sipas tij, kjo rritje ishte mëse e kënaqshme në një vit kur ekonomia shqiptare eci me ritëm të ngadaltë. Për vitin 2010, tregu i makinave të reja ra me 10%, por kompanitë e lizingut duket se arritën ta diversifikonin portofolin e financimit edhe në sektorë të tjerë.

Vitin e kaluar në Shqipëri u shitën pak më shumë se 2700 makina të reja, nga të cilat afërsisht gjysma u financuan me lizing.

Lizingu është një produkt relativisht i ri dhe që në Shqipëri ofrohet nga 5 kompani. Vlerësohet se të paktën 70% e financimeve me lizing shkojnë për blerjen e makinave, megjithatë në vitet e fundit është rritur përdorimi i këtij produkti edhe për blerjen e makinerive dhe pajisjeve. Sipas zotit Saliasi, kjo e ka bërë tregun e liznigut më pak të varur nga ai i makinave.