Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 15:21

Tiranë – Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit prezantuan sot një lëndë të re me zgjedhje për shkollat e mesme shqiptare, “Financat personale në duart tuaja”. Lënda do të bazohet në një tekst të posaçëm të përgatitur nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që Guvernatori, Ardian Fullani, tha se edukimi është konkurrueshmëri dhe si i tillë, faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike.

“Duhet mirëkuptim Bankës Qendrore, sistemit arsimor dhe publikut. Kjo do të bëjë që përdorimi i informacionit për financat të jetë efektiv. Duhet të rrisim edukimin professional dhe cilësor, si edhe duhet të rrisim shkallën e perceptimit të zhvillimeve ekonomike,” tha Fullani.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, u shpreh se një nga mësimet e krizës së fundit ishte nevoja për një edukim më të mirë financiar. Sipas tij, lënda e re do t’ju mundësojë të rinjve njohje më të mirë të sistemit financiar.

Moduli i ri i hartuar nga Banka e Shqipërisë synon të formojë tek të rinjtë bazat e edukimit financiar dhe përfshin njohuritë themelore për buxhetet personale, për produktet bankare dhe financiare, si dhe për taksat e tatimet kryesore. (LajmeShqip.com)