Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 17:49

Autoriteti i Konkurrencës gjatë këtij viti do të ketë prioritet kontrollet në tregjet financiare dhe të energjisë elektrike.

E pyetur nga deputeti i PS-së dhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj, gjatë diskutimit të raportit vjetor të këtij institucioni në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Lindita Lati, theksoi se, gjatë vitit të kaluar kontrollet janë përqendruar në tregun e barnave.

Lati tha gjithashtu se, gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të ankesave për shkelje të konkurrencës.

Janë bërë 13 të tilla dhe 5 prej tyre kanë qenë shkelje potenciale të konkurrencës.

Shkeljet janë evidentuar në tregun e gazit të lëngshëm, sigurisë fizike dhe telefonisë celulare.

Lati tha se, janë nxjerrë rreth 43 vendime për zbatimin e ligjit të konkurrencës dhe vendosjen e gjobave, nga të cilat janë arkëtuar rreth 1 miliard lekë.