Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 19:53

Fier – Mbingopja e tregut me prodhimet vendase, ka ulur ndjeshëm çmimet e perimeve në tregun e fruta-perimeve, duke bërë që konsumatorët t’iu shpëtojnë çmimeve të kripura që imponojnë mallrat e importit si dhe rritjen e fuqisë blerëse në treg.

Sipas tregtarëve, çmimet e disa prej perimeve në tregun e shumicës dhe pakicës në fundjavë janë: domatja 10-15 lekë, speci 20 lekë, patëllxhani 35 lekë, bamja 130 lekë, patatja 30 lekë, shalqini 8-10 lekë, pjepri 10 lekë, rrushi 150 lekë, kumbulla 50 lekë, pjeshka 50 lekë.

Tregtarët ambulantë dhe ata të shitjes me pakicë fitojnë rreth 10 lekë për kg, për çdo lloj fruti apo perime.

“Jemi të kënaqur pasi me këto çmime konsumatorët bëjnë xhiro. Ky sezon është me leverdi për ne tregtarët se ne fitimin nuk e kemi te çmimi i produktit që shesim, por tek fuqia blerëse e konsumatorit. Te numri i klientëve që tregtojnë te ne”, tha një nga tregtaret ambulante, V.Sadushi.

“Prodhimi vëndas rrit fuqinë blerëse. Në periudhat kur në treg mungon prodhimi vëndas dhe ne tregtojmë kryesisht prodhimet e importit, klientët  pyesin për çmimet dhe shumë pak blejnë”, thotë tregtarja  M.Lamaj.

Edhe për fermerët kjo është periudha më e artë, sepse është konkretizimi financiar i gjithë aktivitetit prodhues. Ata janë koshientë se përballë mungesës së një tregu të organizuar ku të ketë kontrata paraprake mes prodhuesit dhe tregtuesit, përballë mungesës së magazinave frigoriferike, standarteve të marketingut  kjo kohë është që të mos dalin të humbur.