Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 08:12

Fier – Firmat e ndërtimit që operojnë në qytetin e Fierit nuk i dorëzojnë objektet sipas projektit.

Një nga kushtet urbanistike që u është vendosur kompanive të ndërtimit, para marjes së lejës së ndërtimit, është krijimi i mjediseve të gjelbëruara në funksion të objektit dhe rikonstruksioni i infrastrukturës.

Pavarësisht kushteve dhe rregullave të vendosura, projekteve dhe angazhimeve të ndërtimorëve, sapo përfundojnë objektin, firmat u thonë “lamtumirë” sipërfaqeve të gjelbëruara.

“Ne jemi munduar që në kontrollet që bëjmë ti afrohemi sa më shumë projektit përfundimtar të objektit që ndërtohet, por duke qenë se objektet që ndërtohen nuk janë në grup, që të bëjë të mundur rikonstruktimin e rrugëve dhe gjelbërimin, atëherë ngelet që rregullimi i pjesshëm përrreth objektit të ndërtuar të mos zbatohet”, tha Drejtori i Departamentit të Urbanistikës në bashkinë Fier, Manol Goga.

Ai e pranon shqetësimin qytetar dhe dobësitë e punës së departamentit që drejton, për detyrimin e firmave të ndërtimit që të zbatojnë projektet e gjelbërimit dhe rikonstruksionin e infrastrukturës.

“Gjithësesi ky është një shqetësim i drejtë që në të ardhmen do të jetë prioritet i punës së departamentit të urbanistikës. Ne do të monitorojmë nga afër dhe do ti detyrojmë ndërtimorët të zbatojnë detyrimet sipas projektit të lejes së ndërtimit,” tha Goga.