Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 12:30

Tiranë – Atmosfera festive që nis në fund të nëntorit dhe vijon me tej me Krishtlindjen dhe Vitin e Ri shoqërohet edhe me luhatjen e çmimit të disa prej produkteve bazë ushqimore në tregjet e vendit.

Në tregun e fruta perimeve, pranë ish-uzinës Dinamo në kryeqytet, çmimet kanë nisur trendin e tyre rritës. Tregtarët thonë se prodhimet vendase vazhdojnë të shiten me çmime të arsyeshme, ndërsa produktet e importit si pasojë edhe e zhdoganimeve janë më të larta.

Në fund të kësaj jave, sipas statistikave nga Ministria e Bujqësisë, çmimet e disa prej produkteve bujqesore kryesore u rriten mesatarisht me 10-15 lekë/kg, kundrejt javës së kaluar. Ndërkohë rritje më të madhe shënojnë çmimet e prodhimit të mishit dhe vezës, që janë rritur përkatësisht 30 lekë kg. dhe 2 lekë kokrra.

Sipas një sondazhi nga zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit, qytetarët zgjedhin pikërisht tregjet kryesore për të blerë ushqimet e nevojshme, për shkak te çmimeve të tyre më të lira se marketet që kanë pranë shtëpive. Por ajo qe ata i druhen është fenomeni i përvitshëm i rritjes ekstreme ne prag të Vitit të Ri. Rritja e çmimeve që nga festat e nëntorit e deri për vit te ri është një fenomen i përvitshëm, por në asnjë rast autoritetet nuk kanë mundur ta frenojnë atë.