Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 16:01

Tiranë – Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për embargo ndaj produkteve serbe, ka rritur interesin e biznesit shqiptar për të eksportuar në këtë vend. Edhe pse ky treg tashmë po synohet nga prodhimet maqedonase, përfaqësues të biznesit shqiptar janë optimistë se Shqipëria është e aftë që të plotësojë kërkesat e tregjeve kosovare për produkte agro-ushqimore.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj, tha se fermerët shqiptarë po përgatiten të përfitojnë nga embargoja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, duke u njohur me kërkesat e tregut kosovar për këtë prodhime.

Sipas tij, bashkëpunimi bilateral Shqipëri-Kosovë do të sjellë një dyfishim në eksportin e produkteve bujqësore vendase drejt Kosovës.

Ferizaj tha gjithashtu se, falë marreveshjes që nënshkruam pak ditë më parë në Prishtinë ndërmjet KASH dhe Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), do të rriten edhe investimet private në sektorin bujqësor të të dy vendeve.

Nje delegacion shqiptar, i kryesuar nga Presidenti i Keshillit te Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Enver Ferizaj, viziton ditët e fundit Prishtinën, në kuadër të solidaritetit dhe mbështetjes, pas vendosjes së bllokadës së produkteve të Serbisë ne tregun kosovar, me qellim rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve si dhe plotësimin e tregut kosovar me produkete shqiptare.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj dhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesve, Agim Shahini, nënshkruan marrëveshjen nëntë pikëshe, ku zotohen “të punojnë në ngritjen e kapaciteteve të ndërsjella për furnizimin ritmik të tregut të Kosovës dhe të Shqipërisë me produktet kryesisht vendore të stinës dhe gjithëvjetore, duke mos lejuar mungesa në treg”.

Drejtuesit e bizneseve të dy vendeve vlerësuan faktin se marrëveshja do të ndihmojë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes Kosovës e Shqipërisë, duke theksuar edhe hapjen e mundësive të mëdha me Rrugën e Kombit – autostradën e ndërtuar nga qeveria shqiptare nga Durrës në Morin dhe autostradën në vazhdimin e saj Vërmicë-Merdare, e cila po ndërtohet nga qeveria kosovare.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj, duke përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat reciproke ndaj Serbisë, premtoi se nuk do të ketë pengesa në lidhje me shkëmbimin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ai tha se “për momentin vendimi i qeverisë së Kosovës prodhon rezultat pozitiv per sa i takon eksporteve shqiptare dhe veçanerisht një situatë e tillë, mund të favorizojë eksportet bujqesore dhe agro-ushqimore shqiptare në Kosovë”. Në këtë kuadër, shprehet Ferizaj, organizimi i ketij misioni shqiptar nga fusha e agrobiznesit, në Kosovë sjell në diskutim real gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Ndersa nga ana e tij kryetari i AKB-së, Agim Shahini, u zotua se tash e tutje do të kenë një bashkëpunim bilateral per sa i përket shkëmbimit tregtar mes Shqiperise dhe Kosoves. Sipas tij, kjo dëshmon se produktet serbe mund të zëvendësohen me ato nga shteti shqiptar. “Ky bashkepunim, evidentoi Shahini, është një hap përpara për konsolidimin e bashkëpunimit, i cili do të synojë të rrisë konkurueshmërinë e prodhimeve shqiptare në tregjet kosovare, por dhe anasjelltas, ato kosovare ne tregun shqiptar”. Duke falënderuar shtetin shqiptar për plotësimin e tregut të Kosovës me produkte shqiptare, Shahini nenvizoi se marrëveshje të këtij lloji pritet të ketë edhe me shtete të tjera të rajonit.

“Kjo marrëveshje bashkëpunimi vjen në kohën kur Kosova ka marrë vendimin për respektimin e masave të reciprocitetit me disa vende dhe ka si qëllim të lehtësojë efektet e mungesës së produkteve bujqësore të importuara nga tregjet e bllokuara, duke rritur besimin e ndërsjelltë që produktet ku shkruhet shqip janë më afër konsumatorëve të dy vendeve”, u theksua në ceremoninë e firmosjes së memorandumit.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, i pranishem në këtë takim, apeloi biznesmenët nga Kosova dhe Shqipëria, duke thënë se janë ato që do të gjejnë format dhe mënyrat e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është rritur 40 për qind, krahasuar me të njëjtë n periudhë të vitit të kaluar.

Zyrtarë nga MTI-ja thonë se tashmë po punohet për eliminimin e të gjitha barrierave tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Njohës të fushës së ekonomisë thonë se proceset integruese ekonomike duhet të ngrihen në formën më të lartë, e cila do të quhej Unioni ekonomik, ndërsa prodhuesit kosovarë kërkojnë që shteti shqiptar t’i zbresë taksat për produktet kosovare. Shkëmbimet tregtare me Kosovën gjatë viteve të fundit kanë pasur rritje, favorizuar edhe nga përmirësimi i infrastrukturës rrugore. Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, eksportet drejt Kosovës kapën vlerën e 5.7 miliardë lekëve, nga 4.1 miliardë lekësh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. (LajmeShqip.com)