Lajme Shqip Thursday, 26 September 2013 22:55

Drejtoria Rajonale e Tiranës për Tatimpaguesit e Mëdhenj (NJTM) pranë administratës tatimore, ka kërkuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të kryeqytetit shpalljen si të falimentuar për dy nga kompanitë më të mëdha të sektorit të hidrokarbureve këto vitet e fundit.

Të dy kompanitë deri tani kanë qenë në pronësi të biznesmenit Rezart Taçi, i cili, siç dihet, këtë vit u detyrua të shesë aktivitetet e tij, si: ARMO, etj; për shkak të borxheve të papërballueshme.

Në kontratën, e lidhur me një firmë të panjohur nga Ishujt e Virgjër Britanikë, pas së cilës dyshohet se fshihen biznese nga Azerbajxhani, Taçi angazhohej që, për pesë vjet, të mos merrte pjesë direkt në tregun e hidrokarbureve.

Padia e parë civile e ngritur nga Tatimet ka të bëjë me shpalljen e falimentit për kompaninë e tij “Taçi Oil International Trading sha”.

Kjo padi është regjistruar në Gjykatë më datë 25 shtator.

Ndërkohë, padia e dytë ka të bëjë me kërkesën për proces falimenti edhe për kompaninë e tij KUID të shitjes së produkteve hidrokarbure.

Edhe kjo padi është regjistruar në të njëjtën datë, ndërsa Gjyqtarë të çështjeve janë caktuar përkatësisht Bledar Abdullai dhe Mariana Shegani (Dedi).