Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 15:01

TIRANË- Për herë të parë përfaqësuesit e Entit Rregullator të Energjisë shpjegojnë arsyet pse kërkojnë filimin e procedurave për heqjen e licencës për kompaninë CEZ Shpërndarje.

“ERE si hap të parë mori vendosjen e gjobave për kompaninë CEZ. Problematikë kryesore është mosimportimi i energjisë nga ana e CEZ për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, pasi jeni në dijeni siç e ka bërë ERE publike, CEZ ka detyrimin ligjor, që të importojë sasinë totale të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, gjë të cilën nuk po e kryen. Kjo është arsyeja kryesore, pastaj shkelje të tjera  vijonë dhe janë moslikujdimi i kompanive në sektorin energjetik të KESH dhe OST-së, mungesa e investimeve, këto mund të themi se janë gjërat më themelore, të cilat po i rakordojmë dhe monitorojmë në terren”,- deklaroi Entela Çipa, përfaqësuese e ERE.

Ndërkaq, një tjetër përplasje mes kompanise ceke dhe Entit Rregullator është mosmiratimi nga ERE i rishikimit të garancisë për marrjen e një kredie me vlerë 100 milionë nga CEZ.

“ERE ka njohur interesin e kësaj kompanie për të disbursuar vlerën 100 milionë euro nga EBRD-ja, por CEZ kërkoi në mes të lëvrimit të kësaj kredie një garanci shtesë të kësaj për të vijuar lëvrimin e kredisë, lënien peng të aseteve të shpërndarjes dhe këtë ka kundërshtuar ERE”,- theksoi Çipa.

Mbledhja e bordit të komisionerëve të ERE-s, ku do të merrej vendimi për licencën e CEZ ishte parashikuar për ditën e sotme, por është shtyrë sërish për në datën 22 tetor. (LajmeShqip.com)