Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 18:10

Ankara – Kryeministri i Turqisë Recep Tayyp Erdogan deklaroi të premten se do të inkurajojë investimet turke në Shqipëri.

Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në Turqi, në krah të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, kreu i qeverisë turke, Erdogan tha se aktualisht vlera e tregtisë mes dy vendeve është 400 milionë dollarë.

Por kjo vlerë theksoi ai, nuk tregon kapacitetin e vërtetë të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, ndaj tha ai, shpreh angazhimin tim për të rritur shkëmbimet tregtare në të ardhmen.

“Disa investitorët turq po shprehin angazhimin për të investuar në Shqipëri, investime të cilat shumë shpejt pritet të kalojnë vlerën e 1 miliardë dollarëve, pasi kemi vullnetin e përbashkët për t’i shtuar ato”, tha Erdogan.

Duke vlerësuar rolin e shqiptarëve në Ballkan si mjaft të rëndësishëm, Erdogan tha se “kemi bërë një luftë të sinqertë për pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO”. Erdogan siguroi gjithashtu se Turqia do të mbështesë edhe anëtarësimin në këtë Aleancë të Maqedonisë.

Kreu i qeverisë turke u angazhua edhe për mbështetjen e projektit mjaft të rëndësishëm të gazësjellësit TAP. “Azerbajxhani po bën përpjekjet e veta. Edhe ne do të mbështesim këtë projekt. Në duam të kemi një bashkëpunim të mirë me Shqipërinë dhe Italinë, pasi gazi natyror do të transportohet përmes Turqisë, në Shqipëri e më pas në Itali”, tha Erdogan.