Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 12:21

Tiranë – Vendimi i fundit i qeverisë së Kosovës për embargo ndaj produkteve serbe, ka rritur interesin e biznesit shqiptar për të eksportuar në këtë vend. Edhe pse ky treg tashmë po synohet nga prodhimet maqedonase, përfaqësues të biznesit shqiptar janë optimistë.

Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, tha në një prononcim për ATSH-në se “për momentin vendimi i qeverisë së Kosovës prodhon rezultat pozitiv sa i takon eksporteve shqiptare. Por, ndoshta një situatë e tillë, mund të favorizojë eksportet shqiptare të materialeve të ndërtimit, të cilat Shqipëria i eksporton sakaq në Kosovë”.

Në këtë kuadër, Bregasi bëri të ditur se së shpejti do të organizojnë një mision biznesi në Kosovë ku do të diskutohet mbi gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Shkëmbimet tregtare me Kosovën gjatë viteve të fundit kanë pasur rritje, favorizuar edhe nga përmirësimi i infrastrukturës rrugore. Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, eksportet drejt Kosovës kapën vlerën e 5.7 miliardë lekëve, nga 4.1 miliardë lekësh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.