Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 00:07

Prishtinë – Organizata “Konsumatori” ka kërkuar nga institucionet që ta largojë nga tregu këtë produkt që e shet kompania e deputetit të AAK-së, Ramiz Kelmendit. Nëse këtë nuk e bëjnë insituticionet atëherë sipas kësaj organizate do të dilet në protesta për ta kërkuar largimin e këtij produkti.

“Duam të njoftojmë konsumatorët kosovarë në lidhje me zbulimet shqetësuese në lidhje me brendin “Plazma Keks” të prodhuar nga kompania serbe “Bambi” dhe të importuar në Kosovë nga “Elkos Group “, thuhet në njoftim për media të kësaj organizate.

Portali LajmeShqip.com kishte publikuar në shtator 2011 se ELKOS po e shkelë shtetin dhe kufijtë e Kosovës, duke importuar në Kosovë si distributor për Shqipëri dhe për UNMIK/Kosovo. Deputeti Kosovar Ramiz Kelmendi nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur, kishte raportuar portali, duke i sjellur ekstraktet e regjistrimit të kompanisë ELKOS në Serbi. Edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për bllokimin e mellrave serbe, ato kanë vazhduar të shiten nga ELKOS, duke e shfrytëzuar Shqipërinë si shtetin eksportuar për në Kosovë. Raportimin e plotë mund ta lexoni këtu.

Kjo organizatë bazohet në analizat laboratorike që i janë bërë këtij produkti në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Maqedoni. Aty i kishte derguar mostrat vete kjo organizatë.

“Produkti “Plazma Keks”, prodhim i kompanisë serbe “Bambi”, është i dyshimitë, i papërshtatshëm dhe si i tillë është edhe i rrëzikshëm për konsumatorin kosovar meqenëse rrezikon shëndetin e dij duke deklaruar rrejshëm përbërësit dhe duke shkelur kështu dispozitat ligjore që përcaktojnë qartë se deklaracioni i produktit duhet të jetë i saktë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Këtë e ka vërtetuar edhe organizata “Konsumatori”, e cila ka konstatuar se “veprimi i kompanisë Elkos Group që figuron si distributor për UNMIK/Kosovo është totalisht i papranueshëm”.

“Ne mendojmë që kjo është një shkelje serioze e dinjitetit shtetëror dhe të dinjitetit të konsumatorit kosovar. Përderisa kemi produkte tjera serbe në treg, të cilat qartë e kanë të shënuar “Importues për Kosovë; Emri i kompanisë”, “Elkos Group” si duket me vullnet e vetëdije të plotë zgjedh të përdorë emërtimin “UNMIK / Kosovo” dhe titullin “distributor” i cili lë të nënkuptohet se malli nuk po u importuaka por po u distribuuaka brenda vendit dhe rrjedhimisht nuk ka nevojë të shënohen fjalët “eksportues” apo “importues”?”‘thuhet në reagimin e organizatës Konsumatori.

Rezultatet e plota të analizës së bërë mund ti lexoni në vijim: Veç deklarimeve të rrejshme në ambalazhin e këtij produkti sipas kësaj organizate nuk saktësohen as llojet e emulgatorëve që përmban kur dihet disa lloje të kësaj materie mund të jenë fatalë për disa konsumatorë dhe se mund të shkaktojnë alergji me pasoja të paparashikueshme.

Përbërja                  IKSHPM                  Deklarimi në paketim
Ujë                              5,00%                       –
Proteina                     13,50%                     11,90%
Yndyrë                       11,90%                     12,00%
Saharozë                    15,10                         20,00%
Vitamin C                  26,4 mg /100gr       12,20%
Vitamin B1                1 mg /100gr             0,90%
Vitamin B6                2,7 mg /100gr          2,00%
Vitamin E                  1,5 mg /100gr          2,00 mg /100gr
Nikotin amid            17 mg /100gr            95,80mg /100gr
Kalcium                     30 mg /100gr           106,0 mg /100gr
Hekur                        2,5 mg/100gr            3,30 mg /100gr

Kjo organizatë ka shprehur shqetësim edhe për përdorimin e sojës në prodhim të “Plazma Keks”. “Globalisht ka dyshime të arsyeshme se soja, përkundër disa vetive të mira është e dyshuar për prishjen e balansit hormonal (te gjinija femrore), për shkaktimin e akneve në fytyrë dhe ndërlikime tjera shëndetësore. Për këto arsye në shumë shtete ndalohet përdorimi i sojës, ndërsa soja ‘GjM’ ndalohet edhe për ushqim të kafshëve”, theksohet në reagimin e kësaj organizate.

Kompania Elkos Group në vend të tërheqjës së këtij produkti nga tregu vazhdimisht ka mbështetur me aktivitete të pandalura të marketingut dhe lojëra shpërblyese në funksion të rritjes së volumeve të shitjeve.

Organizata Konsumatori ka kërkuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës , Agjencioni i Ushqimit dhe Inspektoratet e Kosovës që të heqin nga tregu këtë produkt.

“Përderisa Qeveria dhe institucionet tjera nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret për të mbrojtur konsumatorin në këtë aspekt, atëherë është e qartë se konsumatori do të vetëmbrohet duke shfrytëzuar institucionin themelor demokratik të protestës dhe çdo institucion tjetër demokratik me synim ndalimin e plotë të mallrave të rrezikshme, aplikimin e plotë të ligjeve që ofrojnë mbrojtje e siguri për konsumatorin dhe arritjen e reciprocitetit të plotë ekonomik e tregtar me Serbinë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate. (LajmeShqip.com)