Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 10:00

Tiranë – Eksportet shqiptare në fund të 11-mujorit arritën vlerën 180 miliardë lekë dhe sipas të dhënave të Doganave, janë rritur me 33.4 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të 2010-tës.

Pavarësisht krizës në eurozonë, tregtia me vendet e BE-së po ecën mirë dhe produktet shqiptare vazhdojnë të preferohen. Sipas doganave, për 11-mujorin volumi i eksporteve shqiptare në sasi arriti në  2853.9 mijë ton, nga 2177.5 mijë ton në të njëjtën periudhë të 2010-tës, me një rritje 676.4 mijë ton ose 31.1%.

Prodhimet shqiptare që u eksportuan në 11 muajt e parë realizuan vlerën 87.9 miliardë,  lekë me një rritje 19.9 miliardë lekë ose 29.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2010-tës, ku u realizua vlera 68 miliardë lekë.

Rieksportet pas përpunimit aktiv, si bizneset e fasonit, etj, gjatë 11-mujorit shënuan gjithashtu rritje në sasi e vlerë krahasuar me vitin 2010, duke arritur volumin 260.8 mijë ton, nga 240.9 mijë tonë në 2010, me rritje 19.9 mijë ton, ose 8.3% më shumë.

Si vlerë, rieksportet e përpunimit aktiv në 11 muajt janar-nëntor realizuan 92 miliardë lekë, me rritje 13.5 miliardë lekë, ose 17.2% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2010-tës ku u realizua vlera 78.5 miliardë lekë.

Eksportet e produkteve shqiptare vijuan rritjen edhe gjatë muajit nëntor në sasi krahasuar me muajin nëntor 2010, me një rritje 42.2% më shumë dhe si vlerë me 49.6% më shumë.