Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 18:06

Ekspertët mendojnë se rënia e kërkesës së brendshme është pjesë e një cikli ekonomik dhe ndërhyrjet për ta gjallëruar në afatin e shkurtër janë të vështira.

Elvin Meka, ekspert ekonomie, mendon se tashmë se qeveria i ka ezauruar mjetet e saj me stimulin e rritur fiskal në vitet e mëparshme, ndërsa, sipas tij, një stimul i mëtejshëm monetar duke ulur normën bazë të interesit nuk do të kishte efekte të rëndësishme.

Arjan Kadareja, ekspert dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, është i mendimit se në gjendjen aktuale, ripërtëritja e konsumit nuk mund të nxitet me masa afatshkurtra dhe do të kërkojë kohë.

Sipas tij, arritja e marrëveshjes për shpëtimin e ekonomive në rrezik të eurozonës do të ketë një ndikim pozitiv edhe në ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Gjatë gjithë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka konstatuar se rritja e ekonomisë shqiptare ka ardhur kryesisht falë kërkesës së jashtme dhe pjesërisht falë kërkesës së sektorit publik.

Ndërkohë, konsumi i brendshëm dhe kërkesa e sektorit privat ngelen të dobëta, çka përbën edhe faktorin kryesor që po e mban rritjen ekonomike nën potencialet e veta.