Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 15:47

Tiranë – Vetëm apelet e Guvernatorit nuk mjaftojnë për të rritur kreditimin e ekonomisë. Koço Broka, ekspert i ekonomisë, shprehet se nevojitet një analizë e shkaqeve të ngadalësimit të kreditimit, për të identifikuar veprimet që do të mundësonin rritje me ritme më të larta.

Sipas tij, ekonomia shqiptare ka nevojë për një kreditim në sasi të ngjashme me ato të para vitit 2008 dhe sistemi bankar i ka të gjitha mundësitë për ta siguruar këtë mbështetje. Në gjykimin e z.Broka, përqindja e lartë e kredive me probleme është një nga shkaqet që frenon rritjen e kreditimit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit Qershor, portofoli i kredisë për ekonominë arriti në 510 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 11.5%. Megjithëse qysh nga fundi i vitit të kaluar kreditimi është gjallëruar ndjeshëm, në vlerësimin e ekspertëve dhe të Bankës Qendrore, ai ende qëndron nën potencialet e veta. (LajmeShqip.com)