Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:52

Prishtinë – Ekspertët dhe njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se plani i qeverisë për zhvillim ekonomik 2011-2014 është i mangët dhe vështirë i realizueshëm. Ata kritikojnë qeverinë që gjatë hartimit të këtij plani nuk është konsultuar fare me ekspertë vendorë të ekonomisë dhe shfaqin frikën se ai dokument do të mbetet në letër, sikur strategjitë e mëhershme.

Zvogëlimi i varfërisë, ulja e shkallës së papunësisë dhe ngritja e standardit jetësor, janë nevojat më urgjente të Kosovës.

Ekspertët e ekonomisë thonë se këto mund të arrihen vetëm përmes një zhvillimi më të hovshëm ekonomik. Por ata shprehen skeptik sa i përket planit të qeverisë, dhe synimeve që shkurtimisht janë publikuar nga mediat.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, thotë se rritja ekonomike vjetore prej 7 deri në 8 për qind dhe zvogëlimi i papunësisë deri në 10 për qind, vështirë mund të realizohen.

Në bazë të planit të qeverisë për zhvillim ekonomik 2011-2014 të publikuar dje, zhvillimi i venit është paraparë të arrihet përmes rritjes së konkurrueshmërisë, fuqizimit të sektorit privat, gjenerimit të punësimit, përmirësimit të imazhit të Kosovës për investime dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe stabil për investime.

Ky plan do të miratohet në Qeveri më 15 maj, e më pastaj do të diskutohet me komisionet parlamentare, shoqërinë civile dhe faktorët tjerë relevantë.