Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 14:31

Tiranë- Shoqata e bankave bëri të ditur se kursimet e shqiptarëve të mbyllura në banka llogariten në 924 mld lekë. Ndërkohë që gjatë vitit që lamë pas niveli i depozitave u rrit me 13.1% kundrejt një viti më parë.

Ekspertët shpjegojnë se emigrantët shqiptarë, kryesisht ata që jetojnë në Greqi, po i mbyllin kursimet në bankat që operojnë në vend, ndërkohë që një tjetër faktor që ndikon është edhe prirja e qytetarëve për të mos investuar, për shkak të pasigurisë që ka ngjallur kriza e eurozonës.

Ardian Civici, ekspert i politikave ekonomike, thotë se “ka një tkurrje të konsumit, qoftë të konsumit të brendshëm, qoftë atij individual apo i biznesit, ashtu dhe ulje të eksporteve, që në një farë mënyre është konsumi i huaj apo i jashtëm, në një kohë kur konsumi është përbërësi kryesor i kërkesës në ekonomi, duke zënë 60 për qind të saj”.

“Nga ana tjetër, si bizneset, ashtu edhe individët, preferojnë dhe ndjehen më të sigurt për t’i lënë kursimet apo paratë e tyre në bankë. Mendoj që korrespondon edhe me një transferim të një pjese të kursimeve, që kryesisht shqiptarët që banojnë dhe punojnë në Greqi e kanë transferuar në bankat tona, ku ndjehen më të sigurt”, shprehet Civici.

Nga të dhënat e shoqatës së bankave rezulton se rritja më e madhe vërehet tek depozitat e individëve me 15,3% gjatë vitit që lamë pas kundrejt 2010-ës. (LajmeShqip.com)