Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 11:30

Tiranë – Vlerësimi i impaktit të liberalizimit të tregtisë për produktet bujqësore, që ka nisur nga muaji janar 2012 në gjithë vendet e CEFTA-s (Marrëveshje e tregtisë së lirë me vendet e rajonit), do të matet sivjet nga Shqipëria.

Vendi ynë, përmes një rotacioni vjetor, ka sivjet drejtimin e kryesinë e CEFTA-s, nisur në vitin 2007 dhe që konsiderohet si pjesë e integrimit të Ballkanit në tregun e Bashkimit Europian.

Në hotel “Tirana International”, në aktivitetin “Kryesia CEFTA 2012”, ministria e Ekonomisë njoftoi prioritetet shqiptare në zbatimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me pjesëmarrjen e shumë aktorëve pjesëmarrës në këtë treg rajonal.

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço i pranishëm në këtë aktivitet, çmoi ndikimin pozitiv të përfitimeve nga rritja e shkëmbimeve tregtare në zbatim të CEFTA-s dhe rritjen e kërkesës nga prodhuesit shqiptarë për konkurrueshmëri të produkteve, të cilat po mbështeten me programe konkrete nga qeveria.

Efektet e liberalizimit të marrëdhënieve tregtare mes vendeve anëtare të CEFTA-s në 4 vitet e fundit janë të ndjeshme, pasi është rritur volumi i shkëmbimeve tregtare mes tyre, ku Shqipëria ka ndjerë përfitimet e veta.

Vendet anëtare të CEFTA-s nga viti 2007, kur marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë nisi funksionin, janë Shqipëria, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Kosova, Kroacia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Të premten ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, firmosi me përfaqësuesit e dy kompanive italo- shqiptare kontratat e bashkëfinancimit për Projektet CDM në sektorin e energjisë, me vlerën 5 milionë euro grant. Këto projekte zbatohen sipas “Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Reduktimin e Emetimeve të Gazit me Efekt Serë” mes ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe asaj Italianë të Mjedisit, Tokës dhe Detit të Italisë. Vlera kumulative e financimit arrin në 2.7 milionë euro grant.

Sipas marrëveshjes, qeveria italiane ka dhënë një grant me vlerë 5 milion Euro për bashkëfinancim të projekteve CDM (Clean Development Mechanism), që do të zbatohen në Shqipëri për efiçiencën e energjisë dhe për energjitë e rinovueshme. Projektet CDM parashikohen në procedurat e Protokollit të Kiotos, ku Shqipëria është palë nënshkruese e aneksit B.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë të vitit 2011 u rrit me 2,6 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2010, ndërsa kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2011 u rrit me 1.8 %.

Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë të vitit 2011. Sipas INSTAT, sektorët që kanë ndikuar më shumë në këtë rritje kanë qenë degët tregti, hotele, restorante, si dhe transporti, përkatësisht me 6,2 % dhe 19,7 %. Gjithashtu, rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe industria e bujqësia, përkatësisht prej 4,8 % dhe 2,5 %.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj si dhe kreu i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Lars Lage Olofsson nënshkruan të martën në Tiranë, një memorandum bashkëpunimi.

Në fjalën e tij, kryetari i KLSH-së, Leskaj theksoi se marrëveshja ndërmjet dy institucioneve vjen dhe në kuadër të një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi që institucionet e larta të Shqipërisë dhe Kosovës kanë nënshkruar në këto vite.

Ministri i Financave, Ridvan Bode si dhe drejtori i Fondit të OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar Suleiman J. Al-Herbish nënshkruan të martën në Vjenë marrëveshjen e kredisë prej 20.4 milionë dollarësh eurosh për financimin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan.

Kjo kredi plotëson paketën e financimit për të tre komponentët e rrugës Tiranë-Elbasan. Ndërtimi i këtij projekti i cilësuar si prioriteti i qeverisë shqiptare do të ketë një kosto prej rreth 290 milionë dollarësh.

Projekti është bashkëfinancim i tre kreditorëve të huaj IDB, OFID, Fondi Abu Dhabi-t për Zhvillim dhe qeverisë shqiptare. I gjithë financimi i huaj i projektit u realizua me kredi zhvillimi me terma të buta (norma të ulëta interesi dhe afate shlyerje shumë të gjata) dhe në një kohë rekord.