Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 11:50

Tiranë – Kuvendi miratoi të hënën nen për nen me 71 vota pro dhe 50 vota kundër, buxhetin e shtetit për vitin 2012. Deputetët e maxhorancës e mbrojtën këtë projekt si buxheti që do të mbështesë stabilitetin makroekonomik, por edhe si projektin që do të zbusë efektet e krizës financiare globale, përmes mbështetjes së sektorëve socialë, investimeve publike dhe rritjes së pagave dhe pensioneve. Por, deputetët e opozitës me votën e tyre kundër theksuan se buxheti 2012-të, nuk merr asnjë masë për krizën ekonomike globale, në kushtet kur e gjithë bota është mobilizuar me masa shtesë.

Në fjalën e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se buxheti i shtetit për vitin 2012 synon ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, inflacionin në nivelet rreth 3 %, një borxh publik brenda kufirit prej 60 % si dhe rritje ekonomike rreth 4.3 %.

Po të hënën Shërbimi Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH) promovoi hartën e re të burimeve minerare në Shqipëri, e cila lidhet me idenë e planifikimit minerar dhe paraqet burimet natyrore të dixhitalizuara, shoqëruar me database-n e duhur për subjektet vendase dhe të huaja dhe ofron mundësitë e promovimit të burimeve minerare shqiptare.

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, i pranishëm në këtë promovim, theksoi se harta e re minerare është pjesë e politikave promovuese të sektorit minerar në Shqipëri.

Të martën Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu si dhe ai i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi i kërkuan qeverisë shqiptare të mbështesë shoqërinë civile si dhe të jetë partnere për ndërmarrjen e reformave.

Gjatë seminarit “Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm për organizatat e shoqërisë civile” që u mbajt të martën në Tiranë, në kuadrin e programit “People to People”, Ambasadori i SHBA-së, Arvizu theksoi se duhet një bashkëpunim më i madh mes qeverisë dhe shoqërisë civile. “Qeveria duhet të jetë partnere për reformat dhe duhet të sigurojë transparencë”, deklaroi Arvizu.

Ndërkohë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi tha se qeveria është përgjegjëse që zëri i qytetarëve të dëgjohet. Ministri i Financave, Ridvan Bode i pranishëm në tryezën e zhvilluar tha se, qeveria po harton kuadrin e ri ligjor për organizatat jo fitim prurëse.

Të mërkurën Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) shtyu për një afat tjetër vendimin për çmimet e reja të energjisë për vitet 2012-2014 për tre operatorët, KESH, CEZ dhe OST dhe për pasojë, për gjithë konsumatorët që furnizohen nga linjat e ndryshme të energjisë. CEZ kërkoi mosndryshim të tarifës nëse zgjidhen problemet financiare CEZ-Shtet-KESH, në të kundërt, një rritje e tarifës 4,6% më shumë se në vitin 2011.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi të premten se po shqyrtohet mundësia që qytetarët shqiptarë të kenë mundësi, përmes një deklarate individuale, të aplikojnë për rivlerësimin e banesave dhe kapitaleve fikse të tyre deri me 31 dhjetor të këtij viti, pavarësisht nëse është kryer apo jo pagesa e detyrimeve, pasi ato mund të vijojnë të paguhen edhe gjatë vitit në vijim.

Po të premten, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se nuk do të ketë një akt normativ në fund të vitit lidhur me buxhetin e shtetit për vitin 2011.

“Ne përpiqemi të respektojmë në maksimum parametrat e buxhetit, megjithë vështirësitë e mëdha që ka zhvillimi aktual në fushën e financave publike, mendoj të mos kemi ndryshim në përkeqësim të shifrave”, deklaroi Bode.

Kreu i Financave publike bëri të ditur se në fund të vitit administrata publike do të mund të përfitojë shpërblimin prej 10 mijë lekësh. Sa i takon shpërblimit të pensionistëve, Bode tha se këtë vit nuk kemi mundësi për shpërblimin e pensionistëve.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Ettore Sequi, tha të premten se BE do të vijojë mbështetjen për sektorin privat në Shqipëri në mënyrë, që ai të behet konkurues në tregun evropian.

Gjatë konferencës të zhvilluar në përmbyllje të projektit “Mbështetja e ndërmarjeve të mesme dhe të vogël (SME), me synim rritjen e konkurueshmërisë së tyre, në tregun evropian”, Sequi, vlerësoi rolin e madh që kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në zhvillimin ekonomik të vendit.