Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 17:15

Tiranë – Eksportet shqiptare janë rritur dukshëm drejt tregjeve të reja europiane krahasuar me vitin e shkuar, ku rritja më e madhe shënohet drejt Turqisë, Kosovës, Italisë, Gjermanisë, etj.

Kështu, ndërsa në 9-mujorin 2010 drejt Turqisë u eksportuan 5,728 tonë mallra, në 9-mujorin e sivjetëm arritën në 10.887 tonë, drejt Italisë u eksportuan 60.525 tonë mallra, sivjet sasia është rritur dhe në total arrin 76.560 tonë, me një rritje prej 10% më shumë.

Këtë vit kanë pësuar rritje të ndjeshme prodhimet shqiptare, kryesisht ato sezonale drejt tregut Kosovar, ku nga 7.416 tonë që ishin në 9-mujorin e parë 2010, arritën sivjet në totalin prej 10.292 tonë, me një rritje prej 30% më shumë. Edhe drejt tregut gjerman nga 3.268 tonë mallra që u eksportuan, sivjet arritën në totalin prej 4.516 tonë.

Eksportet, të cilat arritën në fund të 9-mujorit në 1 miliardë euro janë kthyer në “zërin” e parë në financimin e deficiteve monetare të vendit, ndërsa buxheti i shtetit përfitoi 320 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2010.

Në përfitimin e buxhetit të shtetit në këta 9 muaj në këtë vlerë, ndikuan dukshëm mallrat “Made in Albania” ku rritja llogaritet në 27% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2010, që shënoi vitin e rritjes më të madhe të eksporteve shqiptare.