Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 17:02

Tiranë – Kryeministri Berisha priti sot në një takim zv/ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Ahmed Amin Fathallah.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha dhe z. Fathallah, pasi vlerësuan marrëdhëniet shumë të mirë midis dy vendeve, shprehën vullnetin për forcimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike.

Kryeministri Berisha i shprehu z. Fathallah mirënjohjen për mbështetjen që Egjipti ka dhënë veçanërisht në fushën e arsimit, me ofrimin e një numri të konsiderueshëm bursash studimi. Pasi bëri një paraqitje të shkurtër të potencialeve që ka Shqipëria në fusha të ndryshme, Kryeministri theksoi se ekzistojnë hapësira të mëdha për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe të investimeve.

Nga ana e tij, z. Fathallah u shpreh se qeveria egjiptiane mbetet e angazhuar për të forcuar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë, veçanërisht në fushën e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës rrugore, etj.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha theksoi se njohja e shtetit të ri të Kosovës është një kontribut i qenësishëm për paqen e stabilitetin në rajon.