Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 16:32

Në plazhin e Velipojës, ndonëse vetëm për 10 ditëshin e parë të gushtit numri i pushuesve arrin shifrën rekord 120 mijë, shërbimi nuk është ai që pritej. Pushuesit thonë se mbeturinat i sheh kudo, ndërkohë që nuk është respektuar as ndarja 30 me 70 % e hapësirës publike. Gjithashtu abuzime ka edhe me çmimet.

Ndonëse nuk ka një shifër ekzakte, numri i pushuesve në 10 ditëshin e parë të gushtit në Velipojë i kalon 120 mijë.

Pushuesit janë të ndarë të qëndrime sa i përket standarteve që ofron Velipoja, duke filluar nga pastërtia, çmimet, rojet bregdetare e deri tek kultura e shërbimit.

Por ndërsa në zonën e rërës pastërtia më së shumti mbahet nga privatët që menaxhojnë shezllonet, në shëtitoren kryesore situata është ndryshe.

Edhe këtë vit në Velipojë dora e ish-Komunës nuk është ndjerë thuajse fare, ndërsa moskonstituimi i Bashkisë së re të Shkodrës ka dhënë efektin e vet në menaxhimin shumë të dobët të plazhit.

Ligji për ndarjen 70 me 30% të plazhit nuk ka funksionuar dhe kush nuk paguan 700 deri në 1000 lekë shezllon, është i detyruar që me çadrën e tij të qëndrojë pas tyre, ngjitur me pedonalen dhe shumë larg bregut të detit.