Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 12:10

Tiranë – Për dy muajt e parë të vitit sistemi bankar në Shqipëri arriti një fitim prej 818 milion lekësh. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave, kjo shifër është dy herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kthimi nga kapitali, ose fitimi në raport me kapitalin aksioner, arriti në 5.3%, nga 2.5% që ishte për dymujorin e vitit 2010. Kthimi nga aktivet, ose fitimi ndaj totalit të aktiveve të sistemit, u rrit në 0.5%, nga 0.3% që ishte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas një fillimi të vakët në muajin janar, këto shifra tregojnë se sistemi bankar i është rikthyer performancës pozitive që karakterizoi vitin 2010.

Rezultati financiar ngelet pozitiv, megjithëse niveli i kredive me probleme ngelet i lartë dhe për muajin shkurt u rrit në 14.6%, nga 14.5% që ishte në janar dhe 11.8% që ishte në fund të shkurtit të vitit 2010.

Pavarësisht se kreditë në vonesë janë një shqetësim, kreditimi vazhdon të japë shenja gjallërimi. Banka e Shqipërisë publikoi dje të dhënat për muajin shkurt, kur portofoli i kredisë u rrit me 5 miliard lekë ose 1% krahasuar me muajin janar.