Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 16:42

Situata e furnizimit me ujë të pijshëm në plazhin e Durrësit mund të përmirësohet falë një investimi prej 105 milionë lekë, që ka nisur të zbatohet sot.

Lagjja periferike e qytetit bregdetar, ku banojnë mbi 15 mijë banorë, furnizohet vetëm një orë në ditë dhe gjatë stinës së verës situata rëndohet edhe më shumë.

Synimi i projektit është që në përfundim të projektit, zona e plazhit të furnizohet deri në 15 orë në ditë me ujë dhe punimet pritet të përfundojnë brenda 3 muajsh.

Gjatë ceremonisë së fillimit të punimeve, ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, tha se me zbatimin e këtij projekti zgjidhet plotësisht problemi për këtë zonë në një këndvështrim afatgjatë, duke ofruar furnizim më të mirë edhe për sezonin turistik.

Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime në Durrës, Doklead Ademi, humbjet në rrjet në këtë zonë aktualisht arrijnë në 82%, ndërsa niveli i arkëtimeve nuk e kalon masën 30%.