Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 15:00

Durrës – Reshjet e shiut që ranë ditët e fundit kanë qenë mjaft të dobishme dhe specialistët mendojnë se nëqoftëse tregohet kujdesi i duhur në punët e stinës rendimenti i pritshëm i prodhimeve do të jetë 25-30 përqind më i lartë.

Dr. Lutfi Isufaj, thotë se, “ditët e fundit ka vizituar një sërë fermash në rrethet e Durrësit dhe Kavajës, ku reshjet kanë ndihmuar në mbirjen e plotë të kulturave kryesore në perime”.

“Reshjet kanë qenë të dobishme për të gjithë zonën fushore dhe kodrinore nga Velipoja në veri deri në kepin e Stillos, shton agronomi me përvojë, sipas të cilit thatësira e marsit që kaloi, i kishte dhënë këtij muaji pamjen e korrikut.

Reshjet nxitën mbirjen dhe zhvilimin e kulturave që nga patatja, spinaqi, sallata e bishtaja, deri te hudhra dhe qepa. ‘Këto të fundit duket që do të kenë një prodhim mjaft të mbarë-nënvizon dr. Isufaj.

Sipas agronomit, fermerët kanë nisur punimet e stinës dhe shërbimi këshillimor ka përcaktuar edhe prognozën e 10 ditëve të fundit të muajit prill.

“Punimet nuk duhet të ndalen vetëm në perimet e fushës dhe të serave, por edhe në vreshtari, ullishtari dhe agrume-këshillon dr. Isufaj që ka një përvojë gati 45-vjeçare në këtë drejtim.

Farmacitë bujqësore tani janë shumë pranë fermave-shton dr. Isufaj, sipas të cilit shërbimet e tyre dhe këshillat e specialistëve e ndihmojnë ndjeshëm ndërhyrjen në kohë ndaj parazitëve të stinës. Në të gjithë vendin sot janë liçensuar mbi 850 farmaci bujqësore, një numër i mjaftueshëm për ti ardhur në ndihmë fermerëve të vegjël.

Reshjet bashkë me lehtësirat që sollën krijojnë kushte të favorshme në shpejtimin e shfaqjes së disa parazitëve, si afidet (morat e bimëve) apo të dëmtuesve të tokës, si dosëzat, krimbi tel, etj.).

Njollat e vrugut në vreshtari dhe tenja e ullirit janë dy rreziqe të tjera, që mund të përballohen duke trajtuar këto sëmundje të pemëve në kohë-insiston dr. Lutfi Isufaj.

Tashmë në pemëtoret, ullishtat, në sera dhe në ara reshjet e kanë kryer detyrën e tyre. Veçanërisht në zonat kodrinore, ku edhe vlaga largohet më shpejt për shkak të pjerrësisë-ndërhyn përsëri agronomi durrsak. Në të gjithë qarkun ullishtat zënë afro 2150 ha, ose 5 përqind të tokës bujqësore, ndërsa pemët frutore dhe vreshtat 1361 ha të tjerë.

“Lulëzimi, cilësia e lidhjes së frutave pas shirave ka qenë mjaft e mirë si në pemët ashtu edhe në faroret dhe në pemët me bërthama. I rëndësishëm do të jetë kujdesi, trajtimi me pesticide dhe vlerësimi i punimeve të stinës”, përfundon agronomi Lutfi Isufaj.