Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 10:26

Durrës – Ndërtimet pa leje dhe pa kriter janë bërë shkaktarë të ndotjes së plazhit të Durrësit, veçanërisht në sektorin “Apollonia”. Këto ditë Agjencia Rajonale e Mjedisit ka nisur identifikimin e subjekteve ndërtuese, përgjegjës për gjendjen.

“Ndotja që shkaktohet nga ujërat e zeza të banesave në sektorin “Apollonia” të Plazhit të Durrësit do të hetohet për të identifikuar shkelësit, me qëllim që ndaj tyre të merren masa, të cilat do të variojnë që nga gjoba e deri tek ndjekja penale”, bënë të ditur burime zyrtare nga ARM në Durrës.

Sipas të njëjtave burime, zona bregdetare e plazhit të Durrësit, vitet e fundit, ka njohur një nivel të lartë urbanizimi. Por, sipas specialistëve të ARM një lidhjet me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza janë ndërtuar shkel e shko, ndërsa mjaft biznese të vogla nuk kanë ndërtuar as gropat septike të domosdoshme.

Para pak ditësh, përgjatë gjithë sektorit “Apollonia” u identifikuan nyjet më problematike dhe tubacionet që, në mënyrë të kundërligjshme, shkarkoheshin në det ose ato që nuk ishin të lidhura siç duhet me rrjetin kryesor u ndërprenë. Banorët më së shumti ishin ankuar se shumë subjekte ndërtimi e tregtare nuk kishin aplikuar fare përdorimin e gropave septike, duke e rënduar mjedisin dhe cilësinë e jetës së tyre.

Por, thuajse të gjitha objektet në atë zonë janë të ndërtuara me leje dhe janë bërë të banueshme, pasi Bashkia e Durrësit kishte dhënë lejet e shfrytëzimit.

Sipas burimeve, situata është mjaft problematike dhe do të ketë penalizime, ku krahas bashkisë së Durrësit, penalitete do të ketë edhe ndaj subjekteve private ndërtuese, supervizuese dhe kolauduese.

“Në sektorin “Apollonia” ne kemi identifikuar të paktën katër objekte shumëkatëshe, që do t’i nënshtrohen këtij hetimi”, theksuan burimet e ARM duke shtuar se shumë shpejt do të identifikohen shkelësit e ligjit.

Plazhi i Durrësit është një nga më të frekuentuarit në shkallë vendi. Në bregdetin me gjatësi 3.2 km nga ura e Dajlanit deri në sektorin “Iliria” gjatë stinës së verës pushojnë çdo ditë 30-50 mijë vetë.