Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 13:15

Durrës – Ka vazhduar edhe sot  pastrimi i bregdetit në jug të Durrësit, i cili dy ditë më parë u “përmbyt” nga një sasi e pazakontë mbetjesh plastike, që mendohet se janë prurje detare të grykëderdhjeve lumore në veri të qytetit.

Drejtori i ndërmarrjes komunale Plazh, Alfred Dhuli tha se, gjatë dy ditëve të fundit janë evaduar mbi 180 ton mbeturina plastike, ndërsa nuk kanë munguar ,trungjet e pemëve, kafshët e  ngordhura, si edhe mbeturinat e sjella në bregdet nga rrymat detare dhe stuhia e ditëve të fundit.

Sipas Dhulit, plazhi u ndot në të gjithë gjatësinë e tij prej 3.4 km, nga ura e Dajlanit, deri në sektorin Iliria dhe gjatë dy ditëve të fundit në këtë territor prej mbi 30 ha, kanë punuar 6 automjete vetëshkarkuese, eskavatorë, si dhe 60 punonjës të ndërmarrjes.

Një ndihmesë të madhe, ai tha se kanë dhënë edhe administratorët e hoteleve dhe restoranteve përgjatë vijës bregdetare, të cilët kanë pastruar sipërfaqe të mëdha rëre pranë bizneseve te tyre.

Ndërkaq, specialistët e ndërmarrjes kanë “fajësuar” mbetjet e grumbulluara pranë grykëderdhjes së lumit Ishëm, si shkaktarë të ndotjes së madhe ekologjike të 48 orëve të fundit.

Nga ana tjetër, një prej detarëve të vjetër,  Enver Gucija, veteran i lundrimeve në detin Mesdhe, shprehet se, rrymat në detin Adriatik dhe Jon kanë zakonisht drejtim antiorar, pra ngjiten nga brigjet e Durrësit drejt Shëngjinit dhe më tej në ato të malit të Zi e Kroacisë për të “zbritur” në krahun bregdetar të Italisë.

“Vetëm një anomali detare mund ta shpjegojë ardhjen e mbeturinave urbane nga këndi jugor i gjirit të Drinit në grykëderdhjen e lumit Ishëm, drejt brigjeve të Durrësit, në një distancë detare prej më shumë se 25 miljesh ose 40 km.

Në fakt, sipas banorëve të zonave në veri të komunës së Ishmit, ndotja e lumenjve në pjesën fushore të lumit është e madhe.

Bilal Kërtusha, shofer i një prej autobuzave interurbanë të zonës dëshmon se rreth 1 km para derdhjes lumi Ishëm, njerëzit mund të kalojnë mbi shtresën e ngjeshur të shisheve të plastikës dhe mbetjeve të tjera urbane që janë ngjeshur mbi ujë, sikur janë një urë natyrore mes dy brigjeve.

Versioni i ndotjes bregdetare të Durrësit nga shkëputja e mbeturinave plastike  u bë më i besueshëm, pas mbytjes aksidentale një javë më parë të dy të rinjve, banorë të fshatit Likmetaj, të cilët po lëviznin pa kujdes mbi shtresën e krijuar nga shishet dhe kanalet.

Fenomeni është i pranishëm, me përmasa shumë më të vogla edhe në disa nga plazhet e Rrushkullit, apo të grykëderdhjes së lumit Erzen , për të cilin prefekti i qarkut, Genc Alizoti ka kërkuar pastrimin e plotë të tyre brenda datës 20 prill.

Gjatë stinës së pranverës, Plazhi i Durrësit dhe shëtitorja e qytetit  “përmbyten” shpesh nga leshteriku, një lloj alge detare, që krijon shtresa deri në 1 metër lartësi në bregdet. Por specialistët thonë se ujërat detare e tërheqin përsëri dhe në mënyrë natyrale masën e trashë dhe me ngjyrë të zezë, duke e ridërguar përsëri atë drejt thellësive. Gjë që nuk mund të ndodhë dhe mbi të gjithë nuk duhet lejuar të ndodhë me mbeturinat e plastikës, që konsiderohen një burim ndotjeje shumë i rrezikshëm afatgjatë.