Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 07:04

Durrës – “Industria portuale dhe infrastruktura nga këndvështrimi strategjik i Koridorit 8” ishte tema e Forumit Ndërkombëtar që u organizua dje paradite në Durrës, me nismën e Autoritetit portual dhe Alb-Konfidustrisë shqiptare. Në Forum morrën pjesë përfaqësues të biznesit vendas dhe të huaj, politikanë, drejtues të organizmave vendase dhe të huaja financiare, drejtues të porteve të ndryshme të vendit, etj.

Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, duke përshëndetur Forumin tha se tashmë “Koridori 8 në vendin tonë ka një infrastrukturë të konsoliduar rrugore dhe investimet e fundit të qeverisë synojnë të krijojnë një sistem infrastrukturor në përputhje me kapacitetet në rritje të transporteve”.

Ai tha se investimet e mëdha që po realizohen në portin e Durrësit, veçanërisht në Terminalin e udhëtarëve, si dhe financimet që do të fillojnë së shpejti për modernizimin e shesheve dhe kalatave si dhe për thellimin e pjesës nënujore të basenit portual, janë tregues i krijimit të një rrjeti infrastrukturor, që lidh transportet e vendit tonë, Kosovës, Maqedonisë dhe më gjerë.

Portet e Vlorës dhe të Durrësit janë vendosur në qendër të qyteteve, dhe mes tyre tashmë ka një ekuilibër mjaft të mirë zhvillimi të përbashkët, tha më tej ministri Olldashi, duke vlerësuar edhe investimet prej 15.2 milion euro dhe 1.3 milion euro përkatësisht në Vlorë, si dhe në Sarandë dhe Shëngjin së bashku. Ne duhet të bëjmë më shumë për sistemin hekurudhor-nënvizoi më tej ministri Olldashi.

Përqasja politike e Koridorit 8 është mbështetur fuqimisht nga Italia, tha z. Olldashi, sipas të cilit, vendi fqinj perëndimor tashmë përveç porteve të Barit dhe Brindizit ka kërkuar të përfshihet në Projekt edhe Napoli.

Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Fehmi Mujota, i pranishëm në Forum, u ndal veçmas në përparësitë e Rrugës së Kombit, e cila brenda tetorit të këtij viti do të ketë gati për shfrytëzim 34 km e para nga kufiri drejt Prishtinës. Brenda vitit 2014 Kosova do të ketë një sistem rrugor të standarteve rajonale, tha më tej ministri kosovar Mujota, i cili vlerësoi marrëdhënien që po krijohet përmes rrugës së Arbrit me portin detar të Durrësit.

Drejtori i përgjithshëm i APD, Eduard Nreu, pas një prezantimi të shkurtër të ndryshimeve të mëdha në hapësirën portuale gjatë viteve të fundit, u ndal në mundësitë e mëdha që do të krijohen me fillimin e investimeve të reja për thellimin dhe sheshet portuale, si dhe me kontaktet e drejtpërdrejta që janë vendosur me portet e Barit dhe Selanikut dhe hapjen e Zyrës së Përfaqësimit në Kosovë.

Privatizimi i shërbimeve dhe disa terminaleve do të jenë një tjetër element i rëndësishëm për performancën portuale, tha drejtori i APD, Ndreu.

Gjatë Forumit të drejtuar nga drejtori i Alb-Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, u pritën me shumë interes ndërhyrjet e programuara të Përfaqësuesit të Sekretariatit të Koridorit 8, Massimo Lupis, deputetit të Piemontes (Itali), Cristiano Bussola dhe Drejtorit të Transporteve në bashkinë e MIlanos, Gianni Verga, që nënvizuan interesim e madh të Italisë për jetëzimin e këtij Koridori tradicional për vendet e rajonit duke nisur që nga antikiteti.

Shefi i Zyrës së BERZH në vendin tonë, Fabio Serri, e quajti konkurencën me portet e tjera të rajonit një pikë ku duhet ndalur për vlerësimet e ardhshme.

Forumi i djeshëm u organizua në përmbyllje të Panairit “Industria dhe Teknologjia 2011” që u organizua në Tiranë më 28-30 Prill 2011.