Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 08:02

Durrës – Në portin detar të Durrësit ka nisur të shkarkohen 6500 ton plehra bujqësore ure’ për bujqësinë shqiptare. Brenda katër muajve të parë të këtij viti në Durrës është përpunuar thuajse e njejta sasi që ka mbërritur gjatë gjithë vitit 2008.

Burime zyrtare nga Autoriteti portual, bënë të ditur për ATSH-në se anija “Berkay N” me 3253 ton plehra bujqësore ure ka nisur shkarkimin mesditën e së shtunës, ndërsa sot paradite pritet të mbërrijë në port anija tregtare “Makbule Ana” me afro 3200 ton ure në hambarë.

Sipas burimeve anijet do të përfundojnë shkarkimin e mallit rifuxho, porosi e firmës “Agroblend” brenda dy ditëve. Megjithëse është e dielë anijet do të kenë në dispozicion dy elektrovinxha gjatë 24 orëve-thanë burimet portuale.

Sasia e plehrave bujqësore që mbërrijnë në portin më të madh të vendit ka ardhur duke u rritur. Gjatë katër muajve të parë të këtij viti në portin më të madh të vendit janë shkarkuar afro 32 mijë ton plehra bujqësore të llojeve të ndryshme.

Sipas statistikave të APD në vitin 2008 në Durrës kanë mbërritur me anije afro 33 mijë ton ure’, nitrate dhe plehra të tjera bujqësore, ndërsa në 2010 vëllimi vjetor arriti në 49 mijë ton.