Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 11:56

Tiranë – Lehtësimi i procedurave për nxitjen e biznesit, si një ndër objektivat e Shërbimit Doganor gjatë vitit 2011 dha efektet e veta përmes uljes së numrit të dokumentave që paraqesin subjektet e ndryshme të biznesit.

Në analizën 1-vjeçare të punës, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymshka njoftoi se është ulur numri i dokumentave të domosdoshëm në import nga 8, në 4 dhe në eksport nga 7, në 3 të tilla.

“Kanalizimi i deklaratave doganore në sistem, që nga momenti i regjistrimit nga deklaruesit ka shkurtuar një nga hallkat e përpunimit të deklaratës duke rritur transparencën. Përmes tyre u bë i mundur deklarimi direkt nga mjediset e operatorëve ekonomikë, deklarimi i thjeshtëzuar për dërgesat dhe mallrat me natyrë jo tregtare”, tha Gjymshka.

Vitin e kaluar, Doganat ulën nivelin e kontrolleve fizike nga 14.2%, në 12.9% përmes një sistemi Menaxhimi Risku të suksesshëm, ndërsa u dhanë mundësinë e shtyrjes së afatit të pagesës së TVSH-së bizneseve në vlerën 3.3 miliardë lekë, ose 15% më shumë se në 2010-tën.

Vjet, Doganat i dhanë statusin e “Eksportuesit të Miratuar” 7 subjekteve, numri i të cilëve arrin në 13 eksportues të miratuar.

Gjatë veprimtarisë monitoruese për evidentim shkeljesh, parregullsish dhe nga kontrollet fizike, Doganat penalizuan vjet 194 subjekte me shumën totale 107 milionë lekë. Gjatë monitorimit dhe investigimit, Doganat vendosën penalitete në shumën 1.2 miliardë lekë, u kallëzuan penalisht 134 subjekte, ndërsa nga analizat laboratorike u evidentuan 987 raste keqklasifikimi tarifor.

Përgjatë vitit 2011, Doganat sekuestruan 12.4 ton duhan dhe 637 mijë blansheta, që do të shërbenin për nxjerrjen në treg të 1,274 kolive me cigare të falsifikuara, 22.4 ton kafe, 3,423 kg lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, u zbuluan 2 raste të trafikimit të qenieve njerëzore me 15 klandestinë dhe u ndaluan 26 automjete në shkelje të RLP.

Krijimi i Drejtorisë së Hetimit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Dogana shërbeu si mundësi e mirë për ndëshkimin e shkeljeve dhe shfaqjeve korruptive për 74 punonjës. Nga puna u larguan 25 vetë, një pjesë e të cilëve po ndiqen penalisht, morën vërejtje me paralajmërim 27 të tjerë, ndërsa me ulje në kategori, transferim nga pozicioni i punës, gjoba deri në dy paga, humbje të së drejtës së shpërblimeve u ndëshkuan 22 punonjës të tjerë.