Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 17:09

Tiranë – “Ne kemi një Ent Rregullorator, që është i pavarur nga Qeveria, që varet nga Parlamenti dhe ne jemi të gatshëm të marrim çdo masë që ky Ent Rregullator do të marrë në një moment të caktuar. Ai funksionon në bazë të një ligji. Ne kemi një kontratë privatizimi për këtë kompani dhe plotësimi i detyrimeve reciproke është i domosdoshëm”, tha Bode.

Kriza financiare e CEZ-it tashmë ka infektuar zyrtarisht edhe financat publike. Qeveria do të vendosë 40-50 milionë dollarë si garanci për KESH-in, që kompania publike të kompensojë importin e pakryer nga CEZ. Kompania çeke në gjendje të vështirë financiare, prej 1 shtatorit ka ndërprerë thuajse tërësisht importin e energjisë, duke detyruar keshin të prodhojë me kapacitet maksimal.

Për pasojë rezerva hidrike shteroi me shpejtësi dhe tashmë niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka rënë në 260 metra, vetëm 5 metra mbi pikën kritike, aty ku hidrocentrali nuk prodhon më. E gjendur në këtë situatë, pas edhe takimeve me ekspertët e Bankës Botërore, të mbërritur në tiranë për këtë cështje, qeveria ka pranuar të rrisë borxhin publik duke garantuar kredinë për KESH.

Sektori energjetik vijon të mbetet një rrezik i përhershëm për financat dhe borxhin publik, edhe pas privatizimit të shpërndarjes në vitin 2009. Me garancinë e fundit, subvencionet e Qeverisë për energjinë për këtë vit shkojnë mbi 70 milionë dollarë, nga të cilat 20 milionë shkuan për të ndihmuar KESH-in në fillim të vitit, ndërsa pjesa tjetër për të mos lejuar rënien e sistemit në kolaps nga kriza financiare e CEZ-it. (LajmeShqip.com)