Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 18:29

Tiranë – Qytetarët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për ligjin e deklarimit të të ardhurave  personale, edhe pse ka disa javë që ka hyrë në fuqi.

Sipas ligjit, që do të fillojë të zbatohet në Janar të vitit 2012 , krahas taksimit të të ardhurave vjetore, parashikohet edhe kompensimi i individëve për ato që quhen shpenzime të zbritshme. Kështu, me fillimin e zbatimit të ligjit, çdo individ duhet të dorëzojë brenda datës 30 Prill të vitit pasardhës deklaratën e të ardhurave personale.

Por, megjithëse deklarimi do të prekë të ardhurat dhe shpenzimet e vitit korrent, shumica dërrmuese e qytetarëve nuk janë në dijeni të këtij fakti. Administrata tatimore nuk ka ndërmarrë deri tani ndonjë fushatë sensibilizuese apo edukative për t’i informuar qytetarët lidhur me këtë detyrim të ri ligjor dhe me teknikat si do të përmbushet ky detyrim. Eksperti kontabël, Agim Binaj, thotë se ky hap në vetvete është pozitiv për shoqërinë dhe ekonominë.

“Unë them se kjo ka vështirësi, por gjykoj se kjo do fillojë të ecë dhe se Shqipëria duhet të futet në këto rrjedha ligjesh, pasi edhe sistemi tatimor vetë është një sistem vetëdeklarimesh. Edhe pse një pjesë deklarojnë dhe një pjesë jo, apo dhe bëjnë evazion fiskal, duhet pranuar që i gjithë sistemi është vetëdeklarim dhe mbi këtë llogjikë bëhet dhe hartohet buxheti i shtetit. Ne duhet të bazohemi te kjo, pasi nëse vetëdeklarohet dikush do të ketë dhe përfitime. Kështu, nëse një pjesëtar i familjes tënde mund të jetë shtruar në spital dhe ti ke shpenzime shtesë, shteti mund të të rimbursojë siç ndodh në të gjitha vendet e botës,” thotë Binaj.

Sipas tij, përtej vështirësive teknike, deklarimi tatimor i individëve do të rrisë shkallën e formalizimit të ekonomisë dhe besueshmërinë e sistemit tatimor.