Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 13:13

Tiranë – Qeveria do të jetë ajo që në bazë të një metodologjie të re, do të përcaktojë çmimin e tokës për kompensimin e ish-pronarëve. Ndryshimet në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, të cilat janë diskutuar dje në Komisionin Ekonomisë, kanë hasur në kundërshtimin e opozitës për një sërë pikash.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Elona Syla, sqaroi dje edhe ndryshimet që vijnë në ligj, ku mes të tjerash u shpreh se vlerësimi për çmimin e tokës do të bëhet në bazë të tri parimeve: vlera e tregut, qëllimi i përdorimit të tokës dhe lloji i pasurisë. Po kështu ajo sqaroi edhe pjesën që lidhet me kalimin e kompetencave nga Parlamenti për gjykimin e metodikës, te Këshilli i Ministrave. “Në këtë projektligj janë miratuar standardet e vlerësimit të pasurisë së paluajtshme. Këto janë të sanksionuara me ligj dhe miratohen nga Parlamenti, kurse sa u përket kritereve të veçanta që kanë të bëjnë me aspekte shumë teknike dhe që lidhen kryesisht me formula, përshkallëzime, shifra, data, që do të jenë objekt pune i një grupi të gjerë ekspertësh, këto do t’i lihen për miratim Këshillit të Ministrave”, sqaroi Syla.

Por kjo është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët nuk janë shprehur kundër metodologjisë së re, por nuk kanë rënë dakord për heqjen e kompetencave të Parlamentit. Erjon Braçe e barazoi këtë në një konflikt të pastër interesi, pasi nuk mund të jetë qeveria që duhet të kompensojë pronarin ajo që vendos çmimin për pronën. “Diskutimi është parimor: nuk mundet që të përcaktojë vlerën e pronës sime një institucion që ka marrë përsipër që të më kompensojë në vlerë në natyrë. Është qeveria dhe nuk mundet që po kjo të bëjë vlerësimin e pronës sime. Pavarësisht standardeve që do të aplikojë. Prandaj është vendosur Parlamenti dhe prandaj duhet të jetë prapë Parlamenti. Në një rast tjetër, ky është konflikt i hapur interesi”, tha Braçe.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë, nga shtatori 2011 e në vijim, deri këtë muaj, ka vijuar me hartimin e draftit të strategjisë së pronësisë, ku përcaktohet që procesi i kthimit dhe kompensimit të shtyhet deri në prill 2014. (P.O)