Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 12:47

Tiranë – Biznesi kosovar ankohet se çmimet e referencës nuk i lejojnë të hyjnë në tregun shqiptar. Muharrem Osmani, drejtor i një kompanie të prodhimit të detergjentëve, thotë se Shqqipëria përdorë në doganë çmime reference, që janë shumë më të larta sesa çmimet reale të produkteve që kompania e tij dëshiron të eksportojë. Çmimet e referencës bëjnë që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të paguhet mbi një bazë më të lartë, gjë që i bën produktet kosovare më pak konkurruese në tregun shqiptar.

 

Besim Beqja, ministër për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës, thotë se edhe industritë kosovare kanë potenciale për të eksportuar në Shqipëri dhe dy vendet janë duke studiuar mundësitë për të eleminuar barrierat për të cilat bizneset ankohen.

 

Për gjashtë muajt e parë të vitit, Shqipëria eksportoi në Kosovë 5.7 miliardë lekë mallra, ndërsa vlera e importeve ishte 2.2 miliardë lekë. Tregtia mes dy vendeve paraqitet në rritje dhe bllokimi që Kosova i bëri së fundmi produkteve serbe, në kuadrin e masave të reciprocitetit është një mundësi për t’ju dhënë marrëdhënieve tregtare një ritëm të ri. Por, sipas bizneseve, kjo kërkon heqjen e pengesave artificiale, si çmimet e referencës. (LajmeShqip.com)