Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 15:30

Tiranë – Çmimet e banesave në Tiranë janë rritur me 1.5 % në tremujorin e parë të vitit 2011 në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2010.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore në tremujorin e parë të vitit në terma nominalë ndërpreu prirjen rënëse të çmimeve të nisur që në tremujorin e tretë të vitit 2009. Megjithatë, një pjesë e ndryshimit vjetor të indeksit reflekton efektin e nënçmimit të monedhës vendase ndaj monedhës evropiane.

E korrektuar me efektin e kursit, rritja vjetore nominale e çmimeve në kryeqytet është 1.2%. Ndërsa në terma reale, duke përfshirë edhe deflatimin me indeksin e cmimeve të konsumit, indeksi i çmimeve të banesave ka shënuar rënie me 2.7%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e parë të vitit 2011 janë ndikuar nga një gjallërim i lehtë i ofertës dhe kërkesës. Numri i lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja banimi është rritur në tremujorin e katërt 2010 pasi kishte shënuar rënie vjetore gjatë 4 tremujorëve të fundit.

Ky tregues, megjithë përmirësimin, vazhdon të kufizojë sasinë e ardhshme të banesave të gatshme për shitje, duke mbështetur një nivel të lartë të çmimeve aktuale të shitjes. Gjithashtu lehtësimi në kushtet e kreditimit për blerje banese tregon për një rritje të kërkesës që mund të ketë shkaktuar rritjen e lehtë të çmimeve.

Indeksi i qirasë në përgjithësi ka shfaqur një luhatshmëri më të lartë për të gjithë periudhën e matur, në krahasim me indeksin e çmimeve të banesave. Ky tregues është ulur me 4.5 % në terma vjetore në tremujorin e parë të vitit 2011, ndërkohë që në tremujorin e katërt të vitit 2010 ai pësoi një rritje prej 13.5 %.