Lajme Shqip Thursday, 28 April 2011 11:10

Tiranë – Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici, njëherazi dhe rektor në Universitetin Europian të Tiranës, gjykon se ndërthurja e një sërë faktorësh të jashtëm e të brendshëm ka sjellë fuqizimin e euros ndaj monedhës shqiptare lekut, fenomen i cili do të vijojë edhe në muajt në vijim. Duke marrë në analizë zhvillimet e muajve të fundit, Civici shpjegon se kjo situatë ishte e pritshme.

Në argumentin e tij janë disa arsye: nënvlerësimi i lekut në 3-4 mujorin e parë të çdo fillim viti (që lidhet me mungesën e prodhimit vendas), si dhe liberalizimi i vizave, një faktor i ri i shtuar këtë vit, që ndoshta në mënyrë pak të heshtur, por gjithsesi tërheq një sasi e madhe dhe e konsiderueshme eurosh nga tregu shqiptar.

Sipas Civicit, gjasat janë që euro të qëndrojë në këto vlera dhe gjatë muajve në vijim, ndërsa në fund të vitit të nisë sërish vlerësim të ngadaltë.

“Nëse inflacioni vazhdon të jetë kërcënues për zonën euro, përtej niveleve të përcaktuara në kriteret e Paktit të Stabilitetit, do ketë rritje të tjera. Edhe brenda vendit nuk besoj se do ketë kërcime të mëdha, sepse duke filluar në muajin maj fillon dhe del në masë prodhimi vendas dhe krijohet një balancim më i mirë midis importeve dhe eksporteve, fillon efekti i sezonit turistik dhe ndoshta duke respektuar edhe tendencat tradicionale është muaji tetor-nëntor, kur mund të rishfaqet përsëri një shenjë e dobësimit të lekut”, thotë Civici.

Që prej korrikut të shkuar euro ka njohur vetëvlerësim me një tendencë të vogël, por të qëndrueshme. Të mërkurën paradite një euro u ble me 141.70 leke dhe u shit me 142.30 lekë.