Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 13:25

Tiranë- Përmirësimi i kushteve atmosferike ka ndihmuar furnizimin me energji, pasi konsumi ditor ka rënë me 4 milionë këh dhe në total arrin në 22 milionë këh/ditë nga 26 milionë këh/ditë që ishte në ditët e ftohta.

Sipas të dhënave zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), vazhdon të importohet bashkë me CEZ-Shpërndarjen 12 mln kilovatë/orë në ditë, ndërsa prodhimi vendas arrin 10 milionë këh/ditë.

Edhe prurjet në hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin janë rritur ditët e fundit nga shkrirja e borës dhe rritja e temperaturave. Por KESH duhet të vijojë importin pasi duhet të sigurojë nivele të pranueshme në kaskadë si rezervë hidrike për muajt në vijim, ndërkohë që nivelet e sotme ende janë larg saj.

Ndërkohë CEZ-i ka nisur ndërprerje të energjisë në zona të ndryshme, pasi ka nisur remontet pas dimrit të ashpër që karakterizoi vendin.

CEZ Shpërndarje ka njoftuar se duke nisur nga dita e martë deri të shtunën, do të ketë ndërprerje të energjisë në rreth 4 orë në ditë për shkak të remonteve, nga ora 09:00-13:00. Në remonte janë përfshirë zona në Jug të vendit, Memaliaj, si dhe në Veri, Peshkopia, Laçi, Mamurrasi dhe kryesisht edhe periferia e kryeqytetit. (LajmeShqip.com)