Lajme Shqip Wednesday, 21 November 2012 09:40

PRAGË– Grupi çek CEZ ka nisur procesin për të marrë garancinë e Bankës Botërore pas problemeve që CEZ Shpërndarje ka hasur në Shqipëri. Sipas një njoftimi nga vetë CEZ në Çeki, grupi ka ndërmarrë hapat e parë për të përfituar shumën e vënë garant nga Banka Botërore gjatë privatizimit të operatorit të sistemit të shpërndarjes.

“Për shkak të hapave të paparashikuar dhe të jashtëligjshëm të ndërmarra nga Shqipëria që kanë ndikuar negativisht në operacionet e CEZ Shpërndarje si kompani shpërndarëse të energjisë elektrike, grupi CEZ ka ndërmarrë hapat e parë për të përfituar garancinë e Bankës Boterore”- thuhet në njoftim. 

“Kemi kërkuar një kompensim të dëmit të shkaktuar nga Shqipëria, që mbulohet nga garancia e Bankës Botërore”-është shprehur për mediat çeke Tomaz Pleska, drejtori i Divizionit të Shpërndarjes dhe Aseteve të Huaja në CEZ grup.
Sipas tij ky veprim përbën fillimin e një periudhe 60 ditore gjatë së cilës palët mund të arrijnë një marrëveshje. “Nëse nuk arrihet një gjë e tillë, do të kërkojmeë garancinë”-ka thënë Pleska. 

Sipas tij, CEZ Shpërndarje ka pesuar një shkelje të pastër të të drejtave të kompanisë. “Situata është tepër e tensionuar”-ka shpjeguar ai. CEZ negocioi një garanci nga Banka Botërore përpara se të hynte në tregun shqiptar në mënyrë që të mbronte investimet e tij në një mjedis jo fort të konsoliduar biznesi. Dhe kjo garanci kap vlerën e 60 milion eurove. 

Pak ditë më parë Enti Regullator i Energjisë njoftoi se ka nisur procedurat për heqjen e licensës ndaj CEZ cka do të thotë se kjo procedurë mund të rezultojë në përfundimin e aktivitetit të CEZ Shpërndarje në tregun shqiptar. Ndaj CEZ grup thotë se është i vendosur të mbrojë investimin e tij me të gjitha mjetet e një arbitrazhi ndërkombëtar. (LajmeShqip.com)