Lajme Shqip Wednesday, 09 January 2013 13:02

Tiranë – Enti Rregullator i Energjisë pritet të marrë, këtë të mërkurë, hapin e parë zyrtar, që rikthen kompaninë e shpërndarjes CEZ nën administrimin e qeverisë.

Top Channel ka mësuar se bordi i komisionerëve të ERE-s do të miratojë një rregullore, që i hap rrugë emërimit të një administratori shtetëror në krye të kompanisë CEZ.

Burime thonë se rregullorja do të përcaktojë me hollësi, komptencat, të drejtat dhe detyrimet që do të ketë administratori i emëruar nga Enti dhe bazën ligjore, mbi të cilën ai do të drejtojë kompaninë e shpërndarjes.

Ndonëse kjo masë e Entit përcaktohet në ligj si e domosdoshme, përpara se të merret vendimi për licencën e CEZ, duket se qeveria ka filluar tashmë zyrtarisht procedurat e ndarjes me kompaninë çeke.

Ende nuk dihet se cili do të jetë emri i  administratorit shtetëror, që pas 20 janarit pritet të marrë drejtimin e kompanisë së shpërndarjes. Burimet thonë se deri tani nuk përflitet ndonjë kandidaturë.

Por, ajo që dihet është se emri i tij do të bëhet publik para 17 janarit, datë në të cilën Enti do të zyrtarizojë vendimin përfundimtar mbi licencën e CEZ, që gjithsesi pritet të mos ketë surpriza.

Pas konflikteve të zgjatura, që kulmuan në fundit e vitit që lamë pas, qeveria dhe kompania çeke po shkojnë drejt fundit të hidhur, pas një eksperimenti të dështuar tri-vjeçar, që e kaloi monopolin e shpërndarjes së energjisë te privati.(LajmeShqip.com)